Gjykata pezullon vendimin për mbylljen e rrugicave të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës
Gjykata Komerciale e ka aprovuar si të bazuar padinë e Grupit “Koha”, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës, i nxjerrë nga kryetari Përparim Rama më 18 gusht 20223, me të cilin parashihej mbyllja e rrugëve/rrugicave të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare nga 1 shtatori, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Vendimi është marrë më 30 gusht nga gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi, raporton Betimi për Drejtësi.
“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Grupi “KOHA”, Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit. SHTYHET ekzekutimi i vendimit me Nr.12-020.05- 171446/23 i datës 18.08.2023, i publikuar më datë 21.08.2023, i nxjerrë nga Kryetari i Kryeqytetit të Kosovës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se më 28 gusht 2023, paditësi/propozuesi Grupi “Koha”, përfaqësuar nga drejtoresha menaxhuese Flaka Surroi, ka parashtruar padi kundër të paditurit/kundërshtarit të propozimit kryetarit Përparim Rama, për shtyrje të vendimit të 18 gushtit 2023, i cili ishte publikuar më 21 gusht 2023.
Në vendim thuhet se paditësi/propozuesi ka theksuar se kryetari Rama me vendimin e 18 gushtit, ka vendosur t’i mbyll tri rrugë të qytetit për qarkullim, e të cilat kalojnë në Parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga 1 shtatori 2023.
Aty thuhet se propozuesi Grupi “Koha”, është medium që gjendet në rrugën “Xhorxh Bush”, e i cili qasjen në parkingun e objektit të pronës së tyre, e shfrytëzon në mënyrë të ligjshme, në mënyrë të rregullt dhe të vetme nga kjo rrugë, ndërsa me mbylljen për qarkullim të mjeteve motorike në rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në Parkun e UP-së dhe Bibliotekës, Grupit “Koha” i pamundësohet qasja në parkingun që gjendet në objektin e vet.
Në vendim thuhet se pasi që Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit, vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar padinë, pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej.
Po ashtu, thuhet se ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare.
“Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimit kundërshtues paditësit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm pasi që ekzekutimi i vendimit do t’ia pamundësonte paditësit/propozuesit qasjen direkte në objektin e punës me vetura zyrtare të Grupit “KOHA”, e që do të shkaktonte çrregullime dhe vështirësi të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin dhe ushtrimin e aktivitetit të rregullt për marrjen e informacionit dhe informimin e publikut”, thuhet në vendim.
Më tej, thuhet se ekzekutimi i vendimit do të kishte edhe pasoja financiare për paditësin.
Gjykata vlerësoi se nuk ekziston ndonjë rrethanë sipas të cilës të paditurit- Komunës së Prishtinës, do t’i shkaktohej ndonjë dëm nga shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.