Gjykata shpall fajtor deputetin Fisnik Ismaili për posedim të gazit lotsjellës
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda ka shpallur aktgjykimin kundër ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Fisnik Ismaili, për shkak të veprave penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Për veprën penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues ngase Prokurori i Shtetit është tërhequr nga aktakuza.
Fisnik Ismaili në vitin 2015 në cilësinë e deputetit të Republikës së Kosovës, kishte fshehur në këpucët e tij dy bombola të gazit lotsjellës derisa hynte në Kuvendin e Kosovës me qëllim që t’i fuste në sallën plenare, të cilat i ishin gjetur gjatë kontrollit nga policia në hyrje të ndërtesës. Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Aktualisht Fisnik Ismaili është deputet i Partisë Socialdemokrate (PSD).