Gjykata Speciale bastisi mbrëmë dy shtëpi në Prishtinë, KMDLNj jep detaje

03 maj 2023 | 13:35

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka dhënë detaje për bastisjen nga Gjykata Speciale të shtëpive të Flamur Sopit dhe Nuhi Ahmetit.

“Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë. Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhërin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, ka njoftuar KMDLNj.

KMDLNj ka bërë me dije se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes dhe qëllimet e intervistimit.

“Gjatë bastisjes nuk ishte i pranishëm avokati shkaku se Nuhi Ahmeti nuk ka kërkuar praninë e avokatit ndërsa gjatë intervistimit do të jetë i pranishëm avokati i autorizuar nga z. Nuhi Ahmeti”, ka njoftuar KMDLNj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar takimin…