Gjykata Speciale cakton trupin gjykues për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se kryetarja e kësaj gjykate ka caktuar trupin gjykues që do të gjykojë rastin ku po akuzohen ish-krerët e OVLUÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Kjo është bërë me dije përmes një njoftimi në faqen zyrtare të kësaj gjykate, ku është thënë se ky trup gjykues do të jetë në përbërje të gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux.
Ndërsa, gjykatës rezervë do të jetë Fergal Gaynor.
Ky vendim erdhi pas njoftimit të gjykatësit të procedurës paraprake, më 14 korrik, se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar trupit gjykues më 16 korrik.
Gucati dhe Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, është thënë në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj janë duke u akuzuar se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, ka thënë ndër të tjera në njoftimin Dhomave të Specializuara të Kosovës.