Gjykata Speciale dhe UÇK-ja
Shkruan: Izmi Zeka
Në valën e ftesave krerëve të UÇK-së, dhe jo vetëm krerëve, shkruhet e thuhet se UÇK-ja krerët e saj paskëshin bërë krime apo se nuk paskan bërë krime nga pala tjetër. Shkruhet e thuhet në televizione, portale, gazeta …se kjo gjykatë është e padrejtë apo se kjo gjykatë duhej patjetër për të larguar nga skena politike komandantët “e korruptuar”, madje shkruhet e thuhet se ky do të jetë çlirimi i vërtetë i Kosovës.
Provohet të argumentohet se kjo gjykatë nuk është kundër UÇK-së po kundër komandantëve “të korruptuar, kriminelë e vrasës”. Çuditërisht për më shumë se njëzetë vjet kështu shkruhet e thuhet edhe në Serbi. A do të thotë kjo se individë e grupime në Kosovë me apo pa vetëdije janë zgjatim i politikës serbe. A do të thotë kjo se vlera më e madhe që ka krijuar në gjithë historinë populli i Kosovës, pra UÇK-ja, po u pengon edhe atyre që për çfarëdo arsye nuk ishin rreshtuar krah saj.
UÇK-ja nuk është fiksion. Ajo ishte reale e konkrete dhe atë e krijuan e rritën bashkërisht emrat konkretë, ushtarë e komandantë, ndaj është injorancë e skajshme të thuhet se nuk po goditet UÇK-ja, po vetëm ca komandantë. Thuhet e shkruhet pastaj se vetë këta komandantë e krijuan këtë Gjykatë. Po, po… shumë e vërtetë edhe kjo.
Ama nuk shkruhet e thuhet se pse e bënë këtë. Harrohet të thuhet se pikërisht propaganda serbe e instaluar edhe në Kosovë përmes individësh e grupesh me e pa vetëdije….gjithë këto vite mbajti në shënjestër këta komandantë, dhe në një pikë u rrit edhe presioni e edhe besueshmëria në këtë propagandë, ndaj komandantëve të involvuar në politikë nuk u mbeti gjë tjetër pos të zhvillonin edhe një betejë tjetër – atë të dëshmimit të pastërtisë e madhështisë së luftës së UÇK-së.
Rezultativisht, Gjykatën Speciale e formuan të gjithë ata që me e pavetëdije goditën komandantët, duke harruar se ata tashmë ishin në struktura politike. Pikërisht ky fakt e pengoi në vazhdimësi dikë, prandaj vrap për të shpikur krime…për t’i propaganduar ato, për “të gjetur” të tjera krime, për të identifikuar vrasësit me motive politike, për ta bërë gogol ShIK-un. Ishte lojë e bukur e propagandës serbe nuk ka dyshim dhe e shërbimeve të fshehta të saja, nga e cila humbës jemi të gjithë që e duam këtë vend.
Harruam se edhe vrasjet me motive politike fare lehtë ka mundur t’i bëjnë shërbimet e huaja, veçanërisht ai serb, sepse ata e dinin se ne do ta fajësonim veten tonë. Fatkeqësish ia dolën, teksa ne (disa) gjetëm fajtorët – SHIK-un dhe komandantët. Tani na mbetet të besojmë se komandantët do ta fitojnë edhe këtë betejë, sepse një ditë do ta shohim ç’i kemi bërë apo ç’kemi tentuar t’i bëjmë vetes sonë.
Atëherë do të themi “lavdi” marrëzisë dhe injorancës tonë.