Gjykata Speciale do të dështojë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se Gjykata Speciale do të dështojë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se ish-luftëtarëtdo ta dëshmojnë pastrinë e luftës së UÇK-së nëSpeciale. “Secili luftëtar që do të ftohet nga Specialja do të dalë fitimtar dhe do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Gjykata Speciale do të dështojë, sepse nuk ka çka të thuhet dhe nuk ka çka të dëshmohet përveç pastërtisë së luftës së UÇK-së”, është shprehur Kadrijaj. Ajo e ka quajtur të padrejtëballafaqimin me këtë gjykatë, megjithatë ka bërë me dije se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së saj.
Kadrijaj ka treguar se nuk e di ende se në çfarë cilësie do të ftohet nga Gjykata Speciale meqë ende nuk e ka marrë ftesën zyrtare. “Unë jam kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale, por zyrtarisht ende nuk e kam marrë ftesë. Përderisa nuk e kam marrë ftesën zyrtare nuk e di se në çfarë cilësie do të ftohem”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Gjykata Speciale është turpi më i madh që i kanë bërë Kosovës. “Është turpi i bashkësisë evropiane që të bëjë një Gjykatë Speciale njëetnike dhe të gjykohen krimet e supozuara të UÇK-së, kurse Serbia, e cila ka qenë nxitëse e të gjitha luftërave në Ballkan, të mos gjykohet për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Si mund të barazohet krimineli me luftëtarin që ka mbrojtur popullin dhe pragun e shtëpisë? Ky është turp. Unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale sepse mendoj se është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Kadrijaj.
Në këtë intervistë ajo ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike, me ç’rast ka theksuar se më 22 gusht Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. “Po shihet se të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje. Edhe ne si Aleancë jemi të përgatitur për zgjedhje dhe po punojmë në terren me struktura”, ka thënë Kadrijaj, duke shtuar se AAK-ja do të jetë befasia e zgjedhjeve të parakohshme.
“Kohëve të fundit kemi aderime të shumta dhe ky është rezultat i qeverisjes së mirë të kryeministrit Haradinaj. Ai ia ka kthyer dinjitetin Kosovës me vendimet e mëdha që i ka marrë siç janë: formimi i ushtrisë, vendosja e taksës, Ligji i ‘Trepçës’, Ligji i Pagave, Ligji i Prishtinës dhe vendime të tjera të cilët drejtpërdrejt prekin qytetarët e vendit. Këto kanë bërë që Aleanca të shënojë rritje dhe këtë po e konfirmojnë edhe sondazhet vendore dhe ndërkombëtare. Sipas sondazheve, AAK-ja po radhitet ndër partitë e para dhe mendoj se me këtë ritëm Aleanca do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve”, është shprehur Kadrijaj.