Gjykata Speciale do të dështojë

16 gusht 2019 | 16:53

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se Gjykata Speciale do të dështojë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se ish-luftëtarët do ta dëshmojnë pastrinë e luftës së UÇK-së në Speciale.

“Secili luftëtar që do të ftohet nga Specialja do të dalë fitimtar dhe do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Gjykata Speciale do të dështojë, sepse nuk ka çka të thuhet dhe nuk ka çka të dëshmohet përveç pastërtisë së luftës së UÇK-së”, është shprehur Kadrijaj. Ajo e ka quajtur të padrejtë ballafaqimin me këtë gjykatë, megjithatë ka bërë me dije se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së saj.

Kadrijaj ka treguar se nuk e di ende se në çfarë cilësie do të ftohet nga Gjykata Speciale meqë ende nuk e ka marrë ftesën zyrtare. “Unë jam kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale, por zyrtarisht ende nuk e kam marrë ftesë. Përderisa nuk e kam marrë ftesën zyrtare nuk e di se në çfarë cilësie do të ftohem”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Gjykata Speciale është turpi më i madh që i kanë bërë Kosovës. “Është turpi i bashkësisë evropiane që të bëjë një Gjykatë Speciale njëetnike dhe të gjykohen krimet e supozuara të UÇK-së, kurse Serbia, e cila ka qenë nxitëse e të gjitha luftërave në Ballkan, të mos gjykohet për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Si mund të barazohet krimineli me luftëtarin që ka mbrojtur popullin dhe pragun e shtëpisë? Ky është turp. Unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale sepse mendoj se është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Kadrijaj.

Në këtë intervistë ajo ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike, me ç’rast ka theksuar se më 22 gusht Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. “Po shihet se të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje. Edhe ne si Aleancë jemi të përgatitur për zgjedhje dhe po punojmë në terren me struktura”, ka thënë Kadrijaj, duke shtuar se AAK-ja do të jetë befasia e zgjedhjeve të parakohshme. “Kohët e fundit kemi aderime të shumta dhe ky është rezultat i qeverisjes së mirë të kryeministrit Haradinaj. Ai ia ka kthyer dinjitetin Kosovës me vendimet e mëdha që i ka marrë siç janë: formimi i ushtrisë, vendosja e taksës, Ligji i ‘Trepçës’, Ligji i Pagave, Ligji i Prishtinës dhe vendime të tjera të cilët drejtpërdrejt prekin qytetarët e vendit. Këto kanë bërë që Aleanca të shënojë rritje dhe këtë po e konfirmojnë edhe sondazhet vendore dhe ndërkombëtare. Sipas sondazheve, AAK-ja po radhitet ndër partitë e para dhe mendoj se me këtë ritëm Aleanca do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve”, është shprehur Kadrijaj.

“Epoka e re”: Znj. Kadrijaj, ju tashmë jeni kontaktuar nga Gjykata Speciale. Mund të na tregoni se në çfarë cilësie keni pranuar ftesën?
Kadrijaj: Unë jam kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale dhe zyrtarisht ende nuk kam marrë ftesë. Përderisa nuk e kam marrë ftesën zyrtare nuk e di se në çfarë cilësie do të ftohem.

“Epoka e re”: Si e shihni përballjen tuaj dhe të ish-luftëtarëve të UÇK-së me këtë gjykatë?
Kadrijaj: E kam thënë dhe vazhdoj ta them, se Gjykata Speciale është turpi më i madh që ia kanë bërë Kosovës. Është turpi i bashkësisë evropiane që të bëjë një Gjykatë Speciale njëetnike dhe të gjykohen krimet e supozuara të UÇK-së, kurse Serbia, e cila ka qenë nxitëse e të gjitha luftërave në Ballkan, të mos gjykohet për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Si mund të barazohet krimineli me luftëtarin që ka mbrojtur popullin dhe pragun e shtëpisë? Ky është turp. Unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale sepse mendoj se është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës nga faktori ndërkombëtar. Gjithë ky maltretim që po u bëhet ushtarëve të UÇK-së në 20 vjetët e pasluftës nuk do asnjë koment. Është e papranueshme që atyre nuk po u lejohet të jetojnë të qetë dhe ta shijojnë lirinë.

“Epoka e re”: Sa do të jetë i vështirë ballafaqimi me këtë gjykatë?
Kadrijaj: Përballja me këtë gjykatë është një padrejtësi e madhe. Është e padrejtë që kryeministri Haradinaj është gjykuar dhe është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës e ftohet të gjykohet edhe nga Gjykata Specialja. Haradinaj, Limaj, Ibrahimaj dhe të tjerët kanë dalë fitimtarë, duke mbrojtur luftën e drejtë dhe të shenjtë të UÇK-së. Secili luftëtar që do të ftohet nga Specialja do të dalë fitimtar dhe do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e shenjtë.

“Epoka e re”: Jeni optimiste se do ta fitoni betejën me Gjykatën Speciale?
Kadrijaj: Ndonëse është e padrejtë ne duhet të përballemi me këtë gjykatë. Sikurse ish-luftëtarët e UÇK-së, edhe unë do t’i përgjigjem Gjykatës Speciale. Por vetë fakti që kjo gjykatë ka ftuar një mjeke tregon çfarë gjykate është. Gjykata Speciale do të dështojë, sepse nuk ka çka të thuhet dhe nuk ka çka të dëshmohet përveç pastërtisë së luftës së UÇK-së.

“Epoka e re”: Znj. Kadrijaj, si po i shihni zhvillimet e fundit në skenën politike?
Kadrijaj: Gjendemi në një situatë të tillë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Specialja. Tashmë është caktuar mbajtja e seancës më 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit dhe me automatizëm do të hyjmë në fazën zgjedhore. Po shihet se të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje. Edhe ne si Aleancë jemi të përgatitur për zgjedhje dhe po punojmë në terren me struktura. Kohët e fundit kemi aderime të shumta dhe ky është rezultat i qeverisjes së mirë të kryeministrit Haradinaj. Ai ia ka kthyer dinjitetin Kosovës me vendimet e mëdha që i ka marrë siç janë: formimi i ushtrisë, vendosja e taksës, Ligji i ‘Trepçës’, Ligji i Pagave, Ligji i Prishtinës dhe vendime të tjera të cilët drejtpërdrejt prekin qytetarët e vendit. Këto kanë bërë që Aleanca të shënojë rritje dhe këtë po e konfirmojnë edhe sondazhet vendore dhe ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga këto zgjedhje?
Kadrijaj: Sipas sondazheve, AAK-ja po radhitet ndër partitë e para dhe mendoj se me këtë ritëm Aleanca do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve. AAK-ja është e përgatitur dhe kemi besim se Haradinaj do ta marrë besimin për ta udhëhequr edhe më tutje vendin dhe do t’i përfundojë me sukses temat që janë në interes të Kosovës dhe popullit të saj. Bazuar edhe në sondazhet e fundit, Haradinaj është kandidati më i pëlqyer për kryeministër.

“Epoka e re”: AAK-ja do të garojë e vetme dhe me Haradinajn kandidat për kryeministër apo me koalicione dhe me një kandidat tjetër?
Kadrijaj: Po punojmë që AAK-ja të shkojë e vetme në zgjedhje, por jemi të hapur për Nismën, PSD-në, AKR-në dhe të tjerat që dëshirojnë të garojnë së bashku. Mirëpo kjo gjë do të varet nga zhvillimet politike dhe nuk do të dihet deri në çastet e fundit. Megjithatë, ne kemi thënë se nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti politike. Në bazë të zhvillimeve do të veprojë edhe Aleanca. Për koalicionet parazgjedhore apo paszgjedhore vendosin Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Aleancës.

“Epoka e re”: Po shihet një gatishmëri për arritjen e koalicionit LDK-LV. Në rast se ndodh ky koalicion, a do të ketë përsëritje të PAN-it?
Kadrijaj: Nuk kemi vendosur për koalicione, pra jemi të gatshëm të garojmë vetëm, por edhe me koalicione. Për cilindo variant që vendos Këshilli Drejtues dhe kryesia e partisë, ashtu do të veprohet.

“Epoka e re”: Zyrtarët e këtyre dy partive po thonë se një koalicion i tillë është duke e frikësuar PAN-in. Është e vërtetë se po frikësoheni nga koalicioni parazgjedhor LDK-LV?
Kadrijaj: Jo, nuk po i frikësohemi një koalicioni të tillë. Në fakt, secili subjekt politik ka të drejtën e vet legjitime për të vendosur se me kë dëshiron të bëjë koalicion. Megjithatë, do të jetë i çuditshëm një koalicion i tillë për shkak të politikave programore, sepse janë dy subjekte krejtësisht të kundërta. LDK-ja është parti e djathtë, kurse LV-ja është parti e majtë. Duke pasur parasysh gjuhën e ashpër që ka përdorur LV-ja karshi LDK-së dhe sulmet ndaj liderit të saj, është i çuditshëm një bashkëpunim i tillë. Megjithatë, ja që në politikë gjithçka është e mundur.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shefi i grupit parlamentar,…