Gjykata Speciale e paralajmëron Nasim Haradinajn
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar Nasim Haradinajn që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit.
Trendafilova ka thënë se Haradinaj ka zhvilluar intervista në medie pa kërkuar paraprakisht leje.
Në një njoftim për medie, ndër tjerash, Trendafilova ka thënë se i ka dhënë paralajmërimin e fundit Haradinajt për këtë, duke shtuar se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit.
“Kryetarja shpjegoi se megjithëse vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që Haradinajt t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DhSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, është thënë në njoftimin e Speciales.