Gjykata Speciale është duke e tepruar me seanca të mbyllura
Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Skënder Musa, ka kritikuar Gjykatën Speciale në lidhje me procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Musa ka thënë se kjo gjykatë është duke e tepruar me mbajtjen e seancave të mbyllura për publikun.
“Megjithatë mendoj se këta e kanë tepruar me mbylljen e këtyre seancave. Nuk ka logjikë që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në seanca të mbyllura”, ka thënë Musa. Në këtë kontekst, Musa ka thënë se nëse vazhdohet me seanca të tilla, Gjykata Speciale rrezikon ta shkeël parimin e publicitetit. “Nëse vazhdohet me mbajtjen e seancave me dyer të mbyllura do të kemi shkelje të parimit të publicitetit dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të tjerë që pretendojnë se janë viktima në luftën e Kosovës për shkak se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë njohuri se çfarë është duke ndodhur me këtë proces gjyqësor”, ka deklaruar Musa.
Ndërsa sa i përket kohëzgjatjes së këtij procesi gjyqësor, Musa ka thënë se ky proces nuk do të zgjasë aq sa ka planifikuar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Avokati Musa ka vlerësuar se në fund të këtij procesi gjyqësor liderët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. “Natyrisht pres lirimin e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë Musa.
Më tutje, avokati Musa ka kritikuar edhe qasjen e institucioneve të Kosovës në raport me liderët e UÇK-së ndaj të cilëve tashmë ka filluar procesi gjyqësor.
“Heshtja e institucioneve të Kosovës është e pakuptimtë për shkak se ky proces gjyqësor është tepër i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës pasi i akuzuar është njeriu që e ka udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm dhe njeriu që e ka shpallur pavarësinë e Kosovës. Thjesht, janë në pyetje aktorët kryesorë të luftës, të cilët janë të akuzuar dhe është totalisht e paarsyeshme heshtja e institucioneve të Kosovës karshi këtij procesi të padrejtë gjyqësor që është duke u zhvilluar kundër luftëtarëve të UÇK-së”, është shprehur Musa.
Derisa i ka kritikuar institucionet e Kosovës, avokati Musa ka vlerësuar lart angazhimin e shtetit shqiptar dhe të kryeministrit Edi Rama.
Musa ka thënë se Rama është duke bërë punë të shkëlqyeshme në mbrojtje të luftës së UÇK-së. “Kryeministri Edi Rama është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në favor të vërtetimit të pafajësisë së krerëve të UÇK-së. Ai është duke luftuar me mjete politike që të dalë e vërteta në shesh. Në fakt, krerëve të UÇK-së nuk ka nevojë t’u ndihmojë askush. Ata kanë nevojë që vetëm Gjykata Speciale të jetë e drejtë dhe këtë janë duke e bërë shumë mirë Edi Rama, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë”, ka thënë Musa.
“Epoka e re”: Z. Musa, si jeni duke e parë procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar në Hagë ndaj liderëve të UÇK-së, duke pasur parasysh se shumica e seancave janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun?
Musa: Procesi gjyqësor në Hagë që nga fillimi i hetimeve është përcjell me zvarritje të shumta. Pa asnjë dyshim çdo zvarritje dërgon në shkeljen e të drejtave të të dyshuarve, respektivisht të të akuzuarve. Është mirë që ka filluar procesi gjyqësor dhe ka ardhur në pyetje marrja e provave përmes dëshmitarëve që padyshim janë prova të rëndësishme. Mirëpo forma se si janë duke u marrë në pyetje dëshmitarët, në seanca të mbyllura, tregon se prokurori ka parashtruar kërkesa të shumta në mënyrë që dëshmitarëve të mos u zbulohet identiteti për shkak të, kinse, rrezikimit të tyre.
“Epoka e re”: Si avokat i akredituar në Gjykatën Speciale, çfarë do të thotë për kredibilitetin e kësaj gjykate mbajtja e seancave të mbyllura për publikun?
Musa: Mbajtja e seancave të mbyllura parashihet me aktet ligjore të Kosovës, duke përfshirë edhe Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në aspektin ligjor, seancat e mbyllura mbahen vetëm kur dëshmitarit i rrezikohet jeta, shëndeti etj. Mirëpo në rastin konkret është e pamundshme që të gjitha këto seanca, pothuajse të gjithë dëshmitarët, të jenë të atillë që mund t’u rrezikohet jeta e tyre, shëndeti apo jeta familjare e tyre. Nëse vazhdohet me mbajtjen e seancave me dyer të mbyllura, do të kemi shkelje të parimit të publicitetit dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të tjerë që pretendojnë se janë viktima në luftën e Kosovës për shkak se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë njohuri se çfarë është duke ndodhur me këtë proces gjyqësor. Parimi i publicitetit është i rregulluar dhe garantuar me kode, me Kodin e Procedurës Penale dhe me konventat ndërkombëtare. Kjo vlen nëse gjykata nuk arrin ta argumentojë mjaftueshëm se është e nevojshme që seancat të mbahen të mbyllura për dëshmitarë të caktuar. Megjithatë mendoj se këta e kanë tepruar me mbylljen e këtyre seancave. Nuk ka logjikë që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në seanca të mbyllura.
“Epoka e re”: Z. Musa, deri më tani janë marrë në pyetje vetëm shtatë dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në këtë kontekst, duke iu referuar numrit të madh të dëshmitarëve të ZPS-së, sa prisni që të zgjasë ky proces?
Musa: Procesi nuk do të zgjasë aq sa e ka planifikuar ZPS-ja. Kur e them këtë bazohem në praktikat gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare. Zakonisht dëshmitarët që janë më të rëndësishëm merren në fillim në pyetje, ndërsa dëshmitarët e tjerë mund të jenë më pak të rëndësishëm edhe pse nuk do të thotë se Specialja i zbaton praktikat gjyqësore të Kosovës apo të gjykatave ndërkombëtare. Mund të ndodhë që ka dëshmitarë të rëndësishëm, sipas prokurorisë, kah mesi dhe fundi. Në bazë të praktikave gjyqësore, zakonisht dëshmitarët që janë si më kryesorët merren në pyetje në fillim, sepse prokurori me ata dëshmitarë pretendon ta vërtetojë aktakuzën. Dhe nëse është kjo praktikë që ne e njohim, mund të them se prokuroria ka dështuar se këta dëshmitarë nuk kanë arritur të vërtetojnë diçka substanciale në aktakuzë, sipas mendimit tim si avokat. Ata më shumë janë marrë me çështje të tjera penale sesa kanë paraqitur ndonjë njohuri mbi pretendimet që përshkruhen në aktakuzë dhe veprat për çfarë akuzohen ish-krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Epoka e re”: Duke iu referuar aktakuzës, konkretisht pjesës që është bërë publike, cili prisni që do të jetë epilogu i këtij procesi gjyqësor?
Musa: Paragjykimi i procesit gjyqësor nuk është nga ana e avokatëve ose juristëve, por ne kemi të drejtë ta shprehim mendimin tonë për procesin gjyqësor. Duke pasur parasysh se çfarë provash janë deponuar dhe çfarë dëshmitarësh janë dëgjuar deri më tani, dhe duke i njohur mirë zhvillimet e luftës në Kosovë, ku kam qenë në Kosovë gjatë gjithë periudhës së luftës dhe duke qenë i sigurt se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka kryer krime lufte, sepse nuk ka pasur mundësi, besoj shumë se në fund Dhomat e Specializuara do të marrin vendim të drejtë. Natyrisht presë lirimin e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Epoka e re”: Z. Musa, kur jemi te procesi gjyqësor, si jeni duke i parë veprimet e institucioneve të Kosovës karshi këtij procesi?
Musa: Në aspektin ligjor dhe formal institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të përzihen në punën e drejtësisë, mirëpo duke pasur parasysh se Gjykata Speciale është gjykatë ndërkombëtare, heshtja e institucioneve të Kosovës është e pakuptimtë për shkak se ky proces gjyqësor është tepër i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, sepse i akuzuar është njeriu që e ka udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm dhe njeriu që e ka shpallur pavarësinë e Kosovës. Thjesht, janë në pyetje aktorët kryesorë të luftës të cilët janë të akuzuar dhe është totalisht e paarsyeshme heshtja e institucioneve të Kosovës karshi këtij procesi të padrejtë gjyqësor që është duke u zhvilluar kundër luftëtarëve të UÇK-së.
“Epoka e re”: Nga kjo që thoni Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama është në nivel të detyrës kur është në pyetje Gjykata Speciale dhe liderët e UÇK-së?
Musa: Padyshim, kryeministri Edi Rama është duke bërë një punë të shkëlqyeshme të favor të vërtetimit të pafajësisë së krerëve të UÇK-së. Ai është duke luftuar me mjete politike që të dalë e vërteta në shesh. Në fakt, krerëve të UÇK-së nuk ka nevojë t’u ndihmojë askush. Ata kanë nevojë që vetëm Gjykata Speciale të jetë e drejtë dhe këtë janë duke e bërë shumë mirë Edi Rama, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë. Në këtë drejtim, Shqipëria është duke e luajtur rolin shumë pozitiv, shumë më pozitiv se Kosova. Institucionet e Kosovës, për mendimin tim, nuk janë duke e dhënë asnjë ndihmë, me përjashtim të pagesave për avokatët mbrojtës.
(Lirim GECI)