Gjykata Speciale gjatë 2023-ës: Bastisje, aktakuza të reja, gjykime e aktgjykim
Gjykime, aktgjykime, bastisje, aktakuza të reja e modifikime të dënimeve, është ajo se çka i karakterizoi Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë gjatë vitit 2023.
Apeli i DhSK-së, përmes një aktgjykimi, me datë 14 dhjetor 2023, ka ulur dënimin ndaj Salih Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim për krime lufte, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, kjo gjykatë modifikoi dënimin për Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, duke vendosur për lirimin e tyre.
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë mbajtur gjithsej 73 seanca gjyqësore, është shtyrë një dhe janë anuluar shtatë të tjera. Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës janë mbajtur gjithsej 36 seanca dhe janë anuluar 21 të tjera.
Po ashtu, gjatë këtij viti janë realizuar disa bastisje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të cilat kanë rezultuar me konfirmimin e dy aktakuzave ndaj tre personave nën dyshimin për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Apeli i Speciales uli dënimin për Salih Mustafën
Për herë të parë që nga themelimi i saj, DhSK-ja ka shpallur një aktgjykim në shkallë të dytë lidhur me një çështje gjyqësore.
Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehësuar prej 22 vjetësh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Ndërsa, prokurorja e specializuar, Kimberly West e quajti ‘fitore për drejtësinë’ vendimin e Apelit ndaj Salih Musftafës.
Gjykata e Shkallës së Parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e kishte shpallur fajtor Salih Mustafën për krime lufte, duke e dënuar me 26 vite burgim. Ndërsa gjatë seancave të Apelit, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.
Salih Mustafa kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues me 26 vite burg të shqiptuar ndaj tij nga Gjykata Speciale më 16 dhjetor 2022. Lidhur me këtë rast, Apeli i DhSK-së kishte mbajtur dy seanca pa përfshirë atë në të cilën u shpallë aktgjykimi.
Në seancën e mbajtur 26 tetor, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone ka thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës. Po ashtu, mbrojtja pretendoi se trupi gjykues ka bërë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në rastin e shqiptimit të dënimit. Me këtë rast, avokati Von Bone ka kërkuar nga Apeli interpretim të Kushtetutës.
Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ndaj këtij aktgjykimi, Salih Mustafa ka dorëzuar dosjen e tij të apelit, kurse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit e viktimave duhej të dorëzonin dosjet e përgjigjeve deri më 5 qershor 2023.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve- mostransparenca e DhSK-së për dëshmitarin e 29-të të ZPS-së
Ndonëse gjykimi ka filluar më 2 prill 2023, në 74 seancat gjyqësore të mbajtura ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë ftuar gjithsej 38-të dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dëgjimi i dëshmitarëve në këtë çështje ka filluar që nga seanca e katërt gjyqësore. Mirëpo, dëshmitari i 29-të ndonëse ishte i ftuar, ai refuzoi të dëshmonte duke deklaruar se ishte i gatshëm të shkonte në burg. Po ashtu, ai kërkoi edhe nga trupi gjykues që t’i jepnin një muaj kohë në këtë proces.
Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht nga trupi gjykues, kështu që u mor vendim që dëshmitari i 29-të, ta vazhdojë dëshminë e tij më 16 tetor. Mirëpo, në seancës e 16 tetorit, pa njoftuar fare për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka vazhduar seancën me dëshminë e dëshmitarit të 30-të.
Lidhur me ketë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, pati thënë se mbrojtja e Veselit janë të shqetësuar me mënyrën e ofrimit te dëshmive nga vetë ai.
Pas kësaj, më shumë se një muaj iu deshën Dhomave të Specializuara të Kosovës të njoftojnë (DhSK) për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të i cili në seancën e 10 tetorit 2023 kishte refuzuar të dëshmojë.
Sipas njoftimit të DhSK, trupi gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm. Si rrjedhojë, me anë të njoftimit të vonë për dëshmitarin e 29-të, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë treguar mostransparencë.
Ndryshe, më 4 dhjetor 2023, trupi gjykues në këtë çështje gjyqësore ka dalë me vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e ZPS, për ndalimin e komunikimeve dhe vizitave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, si të akuzuar për krime lufte. Në mesin e rregullave strikte që u janë vënë për komunikimet dhe vizitat, tre të akuzuarve iu është ndaluar të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
Paneli ka konstatuar se duhet të vendoset një sistem, i cili fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e atyre individëve që mund të paraqesin kërcënim për integritetin e procedurave. Në bazë të kësaj, Paneli theksoi se tre të akuzuarit nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë me disa përjashtime.
Ky vendim, urdhëron Qendrën e Paraburgimit në Hagë që zona e vizitave duhet të jetë e lirë nga muzika ose çfarëdo zhurme që mund ta dëmtojnë dëgjimin. Po ashtu, tre të akuzuarve iu ndalohet të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
Paneli ka vënë në dukje se tre të akuzuarit kanë marrë informacione konfidenciale në lidhje me dëshmitarët dhe më gjerë. Po ashtu, sipas këtij vendimi, ka rrezik që informatat konfidenciale të bëhen të njohura për publikun para se dëshmitarët të dëshmojnë.
Ndërsa, lidhur me Hashim Thaçin për të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmendur komunikimet me vizitorë të jopriviligjuar ku është diskutuar dëshmia që do të japin dëshmitarët, thuhet se në transkripta shihet se ai i ka dhënë udhëzime vizitorit se çka duhet të dëshmojë. Ndërsa, Paneli nuk ka përcaktuar se një sjellje e tillë mund të përbëjë vepër penale nga ana e Thaçit.
Ndonëse kishte kritika për shkak të seancave të mbyllura për publikun, më 7 nëntor gjatë seancës gjyqësore u lëshua urdhër për sa më shumë seanca publike.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor 2022.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, u hodh poshtë mocioni i mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme
Gjykimi ndaj Pjetër Shalës kishte filluar më 21 shkurt 2023, dhe në seancat e mbajtura deri më tani janë dëgjuar 10 dëshmitarë të thirrur nga ZPS-ja, dy nga mbrojtja e viktimave dhe nëntë nga mbrojtja e të akuzuarit.
Në këtë çështje gjyqësore, trupi gjykues ka caktuar 15 janarin 2024, ku parashikohet që të bëhet mbyllja e paraqitjes së provave nga mbrojtja.
Mbrojtja e Pjetër Shalës kishte bërë mocion për rrëzimin e akuzës për vrasjen e paligjshme e që është pika 4 në aktakuzë, mirëpo Gjykata Speciale e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Lirimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt
Gjatë vitit 2023, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova ka marrë vendim për modifikim të dënimit ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Lirimi i Gucatit u bë më 18 tetor, ndërsa i Haradinajt më 14 dhjetor 2023.
Ndryshe, më 18 maj 2022, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shpallur aktgjykimi në shkallë të parë, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.
Por që, Paneli i Apelit në Hagë, më 2 shkurt 2023 ka ulur dënimin për nga tre muaj ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ashtu që u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim (secili veç e veç). Ndërsa, la në fuqi dënimin me gjobë në shumën prej 100 euro për secilin veç e veç.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Aktakuzat për pengim të administrimit të drejtësisë
Zyra e Prokurorit të Specializuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in kanë realizuar disa herë bastisje në Kosovë.
Më 12 shtator 2023, ZPS-ja kishte bastisur banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu si dhe më 7 dhjetor ishte bastisur prona e ish-ushtarit të UÇK-së, Behar Berisha, i cili është bashkëluftëtar i Salih Mustafës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje edhe në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit, Blerim Shala, Ismail Syla, Bashkim Smakaj e Artan Behrami.
Ndonëse kishte edhe bastisje të tjera, si rrjedhojë e tyre në vitin 2023 u konfirmuan dy aktakuza kundër administrimit të drejtësisë ndaj Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Jonuzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtarë, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Januzi dhe Bahtjari janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat DhSK i ngarkon.
Haxhi Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën më 12 dhjetor është transferuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë e që në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes ai është deklaruar i pafajshëm.
Në aktakuzën e datës 12 dhjetor 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Megjithatë, Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou urdhëroi ZPS-në që të dorëzojë aktakuzën e përbashkët në këto dy çështje gjyqësore (Bahtjari dhe Januzi, dhe Haxhi Shala) jo më vonë se 12 janari 2024, pasi sipas tyre këto dy raste ndërlidhen me njëra tjetrën.
Për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, është duke u mbajtur në paraburgim edhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, mirëpo ai ende nuk ka ndonjë aktakuzë të dorëzuar nga ZPS.
Kujtojmë se më 31 korrik 2023, me fletarrest të Gjykatës Speciale ishte arrestuar ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë.
Goxhaj ishte mbajtur në paraburgim nga autoritetet e Shqipërisë derisa Gjykata e shkallës së parë në shtator 2023 kishte vendosur që ai të ekstradohet në Holandë. Mirëpo, mbrojtja e Goxhajt kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për të ndaluar ekstradimin e klientit të tij. Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë, kështu duke urdhëruar heqjen e masës së arrestit me burg si dhe lirimin e Goxhajt.
ZPS pushon hetimin kundër Driton Lajçit
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), gjatë vitit 2023 ka njoftuar se ka pushuar hetimin kundër Driton Lajçit.
Lajçi kishte mbajtur pozitën e shefit të Divizionit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (MD).
Sipas njoftimit të DhSK-së, Lajçi ishte bërë i dyshuar i ZPS-së në vitin 2019, e që çështja e tij lidhej me hetime dhe çështje gjyqësore që kishin të bënin me krime bazë të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Ndryshe, mbrojtjes i ishte refuzuar në vitin 2021 kërkesa për përfundimin e hetimeve ndaj Lajçit.
Edhe në vitin 2022, mbrojtja kishte kërkuar që të urdhërohet ndërprereja e hetimeve nga ana e ZPS-së.
Ndërsa në shkurt 2023, Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit të shkallës së parë, me anë të së cilit u hodh poshtë kërkesa e Driton Lajçit për urdhërimin për përfundimin e menjëhershëm të hetimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj tij.
Protesta në Kosovë kundër vizitës së Trendafilovës
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova më 29 nëntor 2023 ka vizituar Kosovën ku është takuar me gazetarët dhe përfaqësuesit e Shoqërisë Civile.
Vizita e saj në Kosovë është përcjellë me shumë reagime publike e po ashtu edhe me protestë të organizuar nga Partia Socialdoemokrate (PSD) e cila ishte mbështetur edhe nga kryetari i Organizatave të Veteraneve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( OVL-UÇK).
Në këtë protestë, në shenjë pakënaqësie për vizitën e Trendafilovës, u hodh gaz lotsjellës e mjete tjera shpërthyese ku u lënduan disa gazetarë, e më pas Policia arrestoi Dardan Molliqajn dhe Nol Nushin, si dhe disa aktivistë të tjerë të kësaj partie. Mirëpo, ata u liruan pas 48 orëve.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) një ditë pas protestës, njoftoi se ka nisur hetimet preliminare ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës lidhur me vlerësimin e reagimit policor në menaxhimin e protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova.
Ndryshe, në pyetjen e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) se pse ka pasur mungesë të transparencës lidhur me dëshmitarin e 29-të, kryetarja Trendafilova kishte thënë se nuk di shumë për këtë dëshmitar.
Lidhur me pyetje për dëshmitarin e 29-të, pasi dëgjoi informatat e zëdhënësit Michele Doyle, kryetarja e DhSK-së tha se mund të ketë pasur dyshime për ndonjë manipulim. Ndërsa, zërat për ndikime në këtë gjykatë, kryetarja e DhSK-së i ka mohuar.
Sa i përket transparencës se seancave gjyqësore, konkretisht për seancat që zhvillohet të mbyllura për publikun, kryetarja Trendafilova një pjesë të fajit ua la edhe avokatëve mbrojtës, të cilët sipas saj janë edhe ata që kërkojnë mbyllje për publikun të seancave.
Për tetë muaj, mbi 5 milionë euro u shpenzuan nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja
Nga 1 janari deri më 31 gusht 2023, shuma të cilën Republika e Kosovës e ka shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka qenë 5 milionë e 485 mijë e 800 euro. Ndërsa, shuma totale e ndarë për vitin 2023 kap shifrën e 7 milionë euro.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2023.
Sipas të dhënave, vlera e mjeteve buxhetore të shpenzuara për vitin 2023 për vizitat e familjarëve ka qenë 96 mijë e 808 euro e 82 centë.
Mjetet më të mëdha për mbrojtje janë shpenzuar për Jakup Krasniqin, në vlerë prej 1 milion e 100 mijë euro, pasuar nga Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli në vlerë nga 880 mijë euro.
Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka shpenzuar 821 mijë e 820 euro, për Pjetër Shalën 675 mijë euro, për Salih Mustafën 484 mijë euro, për Hysni Gucatin 363 mijë euro dhe Nasim Haradinajn 282 mijë euro.
Derisa në mjetet buxhetore për familjarët e të akuzuarve, të cilët i kanë vizituar të njëjtit në selinë e paraburgimit në Hagë, sipas përgjigjes së MD-së janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushqimi.
Për familjen e Hysni Gucatit janë shpenzuar mjete buxhetore në vlerë prej 19 mijë e 566 euro e 59 centë, për familjen e Rexhep Selimit janë shpenzuar 17 mijë e 650 euro e 32 centë, për familjen e Nasim Haradinajt janë shpenzuar 17 mijë e 114 euro e 42 centë.
Kurse, për familjarët e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 16 mijë e 895 euro e 30 centë, për familjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 14 mijë 111 euro e 60 centë, për familjen e Salih Mustafës janë shpenzuar 7 mijë e 293 e 59 centë dhe për familjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 4 mijë e 177 euro.
Ndërsa, familja e ish-presidentit Thaçi sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizita.
Ndryshe, në përgjigje të MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2023, për Divizionin është 7 milionë. Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Raporti i Progresit për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë
Komisioni Evropian ka publikuar në nëntor Raportin për Kosovën për vitin 2023 (periudha qershor 2022- qershor 2023). Në bazë të këtij raporti, thuhet se deri më tani Kosova nuk ka ofruar ndonjë mbështetje financiare për viktimat të cilat janë konstatuar nga Gjykata Speciale se kanë vuajtur si pasojë e luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Në këtë raport thuhet se nuk është e qartë se si do të kompensohen viktimat që kanë pësuar si pasojë e krimeve të luftës, mirëpo Kosova ka krijuar një fond për ndihmë juridike për të akuzuarit e DhSK-së si dhe mbështetje financiare për familjet e tyre. Në bazë të kësaj, Raporti i Progresit thekson se është kyçe që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit.
Në raport thuhet se gjatë periudhës raportuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës, përgatitjet paragjyqësore në dy raste kanë përfunduar dhe kanë filluar procedurat gjyqësore duke e përmendur çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Veç tjerash, në Raportin e Progresit theksohet se ndihma e ndërsjellë juridike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rastet e krimeve të luftës mbetet e vështirë.
Gjatë këtij viti, procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve e po ashtu edhe ndaj Pjetër Shalës është përcjellë me shumë probleme teknike, duke përfshirë mosdëgjimi i përgjigjeve të dëshmitarëve, probleme me përkthimin, me video-lidhjet, transkripatat e të tjera. /BetimipërDrejtësi