Gjykata Speciale i refuzon kërkesën për lirim Pjetër Shalës

11 nëntor 2021 | 14:59

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën për lirim të  ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

Në këtë mënyrë është vazhduar qëndrimin në paraburgim për Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, gjyqtari i procedurës paraprake ka arritur në përfundimin se ekzistojnë rreziqet që Shala do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së gjykatës ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar dëshmi në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe/ose që do të paraqiten para Gjykatës Speciale.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sipas të dhënave nga…