Gjykata Speciale kërkon sqarim nga dëshmitari për ndryshimin e deklaratave
Sot është dita e katërt e gjykimit ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në seancën e sotme ka vazhduar të dëshmojë një dëshmitar ndaj Salih Mustafës, i cili pretendon se Mustafa e ka rrahur gjatë kohës së luftës.
Por, deklaratat e dëshmitarit kanë ndryshuar që nga koha kur kishte dëshmuar për herë të parë, andaj kjo ka bërë edhe gjykatësen t’i bëjë disa pyetje.
“Në vitin 2006 ju keni deklaruar se nuk e njihni personin që ju ka rrahur, tash po thoni se e njihni. A mund të ma shpjegoni këtë?”, i ka thënë gjykatësja, dëshmitarit të mbrojtur.
Dëshmitari në anën tjetër ka thënë se ndoshta nuk i është kujtuar.
“Nuk e di ndoshta nuk mu ka kujtuar, për dje mem pyt po harroj”, ka thënë dëshmitari.
Ndërkohë gjykatësja ka vazhduar me pyetjet rreth kësaj çështje.
“Por ju e keni parasysh se janë deklarata të ndryshme, andaj po ju pyesim që ta qartësojmë. Cila është arsyeja që nuk e keni përmendur në atë kohë personin që ju ka rrahur. A ka mundësi të jetë frika arsye?”, ka thënë gjykatësja.
Dëshmitari ka mohuar që nuk e ka përmendur emrin e personit që e ka rrahur shkaku i frikës, por ka thënë se ndoshta vetëm ka harruar.