Gjykata Speciale ndërpret ftesat për intervistim, vazhdon shqyrtimin e aktakuzave
Një mori ftesash kanë ardhur, por ende nuk ka aktakuzë. Më 24 shkurt Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë me procedime penale. Por tash e dy muaj kjo nuk ka ndodhur.
Nga Dhomat e Specializuara është konfirmuar për Klankosova.tv se puna nuk është ndalur.
Të pyetur nëse shkak i mosngritjes së aktakuzave në këtë periudhë është pandemia, përgjigjja ka qenë “JO”. “Puna e gjyqtarit të procedurës paraprake i caktuar nga Kryetarja për t’i shqyrtuar aktakuzat është duke vazhduar”, theksohet më tutje në përgjigje.
Pavarësisht që kanë kaluar dy muaj, nuk ka të ngjarë që tash për tash të ketë ndonjë të akuzuar. “Gjyqtari i procedurës paraprake ka deri gjashtë muaj për të marrë një vendim nëse do ta anulojë aktakuzën apo do ta konfirmojë atë. Nëse konfirmohen pjesë ose të gjitha akuzat në aktakuzë, atëherë ajo menjëherë bëhet publike”.
“Gjatë periudhës së konfirmimit, para se aktakuza të bëhet publike, Kryetarja e Dhomave të Specializuara cakton një gjykatës paraprak i cili shqyrton provat për të mbështetur aktakuzën dhe për të vendosur nëse ekziston dyshimi i bazuar kundër të dyshuarit”.
“Në këtë pikë aktakuza e pakonfirmuar është rreptësisht konfidenciale. Gjyqtari i procedurës paraprake ka deri në gjashtë muaj për të marrë vendim për ta konfirmuar ose pezulluar aktakuzën”.
Në përgjigjet për KlanKosova.tv ripërsëritet se përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç dhe deri ato të konfirmohem nga gjyqtari i procedurës paraprake”.“Nëse gjyqtari i procedurës paraprake konfirmon pjesë apo të gjitha akuzat në aktakuzë, i dyshuari bëhet një i akuzuar dhe aktakuza bëhet publike”.
Gjykata Speciale deri tash ka dërguar afër 300 ftesa për intervistim për ish ushtarët e UÇK-së. “Janë mbi 270 ftesa të dërguara nga Gjykata Speciale”, ka thënë Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ai ka konfirmuar se nga muaji shkurt nuk ka pasur ftesa për shkak të përhapjes së koronavirusit, duke shtuar se janë edhe tre persona që iu është shtyrë intervistimi për këtë arsye.
“Ftesa e fundit e pranuar ka qenë në muajin shkurt dhe prej atëherë nuk ka pasur ftesa të reja”. Dërgimi i ftesave nga Specialja ka nisur në dhjetorin e vitit 2018 dhe i ftuari i parë për intervistim ka qenë ish- komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.