Gjykata Speciale nis pushimin dimëror, nuk punon 15 ditë
Të hënën e 20 dhjetorit Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë zyrtarisht kanë filluar pushimin dimëror, i cili sipas kalendarit zyrtarë do të zgjasë deri më 4 janar të vitit 2022.
Për 15 ditë në Gjykatën Speciale nuk do të zhvillohen seanca gjyqësore për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa seanca e parë e paraparë që të mbahet me 11 janar të vitit të ardhshëm pas përfundimit të pushimit dimëror do të jetë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ndërsa gjykimi tjetër në Gjykatën Speciale për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, pritet të vazhdojë më 18 janar të vitit të ardhshëm.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.