Gjykata Speciale po i fyen dhe poshtëron viktimat e luftës, dëshmitarët dhe vet institucionet e Kosovës

11 nëntor 2019 | 13:45

Nga Musa Sabedini

Ani pse Gjykata Speciale është krijuar me pëlqimin e institucioneve të Kosovës, gjuetia që po bënë ajo ditëve të fundit, duke mos zgjedhur asnjë të dyshuar të mundshëm, tregon se sa e padrejtë është ajo në raport me qytetarët e Kosovës, derisa mijëra shqiptarë të vrarë e të dhunuar nuk e kanë asnjë të mundësi për të kërkuar drejtësi. Asnjë serb nuk është dënuar nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare, përkundër qindra krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Madje, dyshoj se kjo do të ndodh ndonjëherë nga drejtësia ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se unë po mbrojë individët që po kërkohen nga Specialja, por është e qartë se dëmi i tyre është periferik krahasuar me krimet e shumta që kanë bërë serbët ndaj civilëve shqiptarë.

Gjykata Speciale po e turpëron një popull të tërë, po e përlyen një luftë e cila, hiq ndonjë gabim eventual që ka mundur të ndodhë, ishte e drejtë, ishte luftë vetëmbrojtëse nga forcat kriminale të Millosheviqit.

Gjykata Speciale u krijua nga institucionet e Kosovës dhe të gjitha hetimet, fatkeqësisht janë zhvilluar mbi deklaratat e dhëna nga dëshmitarë shqiptarë, por edhe serbë.

Nuk e kam hallin pse po ftohen kaq shumë liderë e komandantë ushtarakë nga kjo Gjykatë. Halli është tek nënshtrimi dhe poshtërimi që kjo Gjykatë po i bënë Kosovës, viktimave të luftës, grave e vajzave të dhunuara. Për më tepër, kjo Gjykatë po e keqpërdor skajshmërisht mandatin e saj.

Drejtësia ka fjetur mbi dosjet e luftës në Kosovë dhe s’është marrë me krimet e forcave serbe, ende asnjë aktakuzë dhe asnjë dënim as pas 20 vitesh. Pse ka ndodhur kjo, faji është edhe yni. Është yni sepse pas luftës kishte media dhe politikanë që donin me çdo kusht ta pengonin hapjen e dosjeve të krimeve serbe në Kosovë.

Heshtja në emër të qetësisë politike

Personalisht, asnjëherë s`jam ndalur duke shkruar për krimet e forcave serbe, madje kam botuar edhe librin “Vrasje dhe dëshmi”, por tek shtresa intelektuale dhe politikanët e sotshëm, nuk pëlqehej kjo gazetari “agresive”, sepse, sipas tyre, nuk duhej trazuar qetësinë politike në Kosovë.

Edhe nëse do të ndiqeshin penalisht të dyshuarit e mundshëm shqiptarë nga gjykata, kjo do të ishte periferike në krahasim me krimet e shumta që ka bërë Serbia. Do të ishte e pandershme të akuzosh një komandant shqiptar, i cili tek e fundit luftën e ka zhvilluar në vetëmbrojtje. Por, është e pafalshme ta injorosh një krim e gjenocid që ka ndodhur para syve të tërë botës dhe që i dëshmuar me të dhëna, fakte, dokumente, dëshmi e deklarata rrëqethëse të dëshmitarëve, fotografi nga vendi i krimit.

Gjykata Speciale, realisht u krijua për shkak edhe të paaftësisë së organeve të drejtësisë në Kosovë. Asnjë prokuror nuk e pati guximin që as pas 20 vitesh, të paktën të lëshojë fletë arreste ndërkombëtare për serbët e dyshuar. Prokuroritë kosovare janë duke fjetur mbi dosjet e dëshmitarëve dhe ekipeve të ndryshme nga tereni.

Evropa nuk po e përmbush një standard të njohur ndërkombëtar që thotë “drejtësi për të gjithë dhe drejtësi për të gjitha palët e përfshira”. Ne jemi viktima në çdo kohë kur flitet për krimet e ndodhura në Kosovë. Fatkeqësisht, Serbia ka arritur që përmes propagandës, ta shndërrojë veten në viktimë, duke qenë agresor dhe kriminel. Ajo ende po e luan këtë rol, i cili po i kushton Kosovës në të gjitha takimet e saj në raport me Serbinë.

Çfarë duhet të bëjmë?

Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga lufta, nuk është vonë ende që të deponohen kallëzime penale në prokurori, polici e gjykata, të ofrohen materiale dokumentuese, fotografi e incizime të ndryshme, emra dhe lista të forcave serbe, që janë zënë në istikame. Dosjet e kompletuara duhet të dërgohen në të gjitha prokuroritë kosovare.

Pavarësisht se prokurorët mund të heshtin sërish, kam bindjen se do të dalë ndonjë prokuror që ka guximin t`i shtyjë përpara dosjet e krimeve.

Individualisht kemi folur e kemi shkruar gjatë, në shqip e anglisht, për krimet serbe, por kemi heshtur si shoqëri sepse nuk i kemi nxitur palët e dëmtuara që t`u drejtohen organeve të drejtësisë. Në emër të drejtësisë, andaj duhet ta bëjmë këtë lëvizje, që të kërkojmë zyrtarisht emrat e serbëve të dyshuar.
………………………………………….

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT dhe themelues i portalit Rajonipress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…