Gjykata Speciale publikon listën e dytë të avokatëve mbrojtës
Dhomat e Specializuara të Kosovës të njohura si Gjykata Speciale kanë shtuar në lista emrat edhe të 87 avokatëve mbrojtës, krahas mbrojtësve që ishin pranuar më parë.
Në një komunikatë për medie të kësaj gjykate është bërë me dije se regjistrimi në këto lista bën që këta avokatë të kenë mundësinë të zgjidhen për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës për të përfaqësuar të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash, apo çdo person tjetër që ka të drejtën e përfaqësimit ligjor në bazë të Ligjit për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të Direktivës për Mbrojtësit.
Listat e publikuara përmbajnë emrat e 87 profesionistëve të fushës së drejtësisë nga Kosova, Serbia, dhe një numër vendesh të tjera.
Me këtë rast, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka përgëzuar të gjithë kandidatët dhe kandidatet duke thënë se kriteret e rrepta për pranim në këto lista janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para Dhomave të Specializuara Kosovës.
Ajo ka thënë se kjo do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.
Që nga nëntori i vitit 2017 kur filloi ky proces, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranime në lista.
Shqyrtimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve vazhdon, si rrjedhojë këto lista të mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë ndërkohë që vazhdon procesi i shqyrtimit të kandidaturave të tyre. Ky proces do të mbetet i hapur.
/Epoka e re/