Gjykata Speciale, selektive dhe me pasoja për Kosovën
Gjykata Speciale është një nga temat më aktuale të këtyre ditëve, për faktin se një numër i konsiderueshëm i ish pjesëtarëve të UÇK-së, kanë marrë ftesa për t’u intervistuar nga Prokuroria e kësaj gjykate, disa në cilësinë e dëshmitarit e disa të tjerë në atë të dyshuarit.
Gjykata Speciale është një mekanizëm ndërkombëtar, i cili përbën rrezik për vendin si në aspektin e brendshëm (duke rrezikuar të shkaktojë destabilitet në vend), edhe në atë ndërkombëtar (duke minuar sovranitetin e vendit të rrafshin ndërkombëtar).
Fillimisht, duhet të ceket se kemi të bëjmë me një gjykatë të njëanshme dhe selektive, për arsye se ka mandat të merret vetëm me krimet e supozuara të ish pjesëtarëve të UÇK- së, duke përjashtuar krimet e kryera nga ushtria serbe. Cak i kësaj gjykate janë eprorët më të lartë të UÇK-së, të cilët kanë përbërë shtabin e Përgjithshëm të UÇK- së.
Sipas kësaj, kjo gjykatë është raciste, sepse realisht po merret vetëm me një palë dhe jo me të gjitha palët. Gjithashtu është politike, pasiqë është krijuar pët të hetuar dhe gjykuar krimet e supozuara në raportin e Dick Marty, dhe selektive duke gjykuar viktimën dhe përjashtuar agresorin.
Ky fakt ka nxitur opinionin publik në vend, duke ngjallur skepticizëm në drejtësinë penale ndërkombëtare. Në Kosovë, janë kryer krime të tmerrshme ndaj popullatës civile, të gjitha me strategji e të orkestruara nga zinxhiri hierarkik komandues i ushtrisë serbe, për të cilat nuk u dënua askush. Nëse do të themelohej një gjykatë, e cila do të gjykonte krimet e kryera në Kosovë, nga kushdo që i ka kryer ato, pa qenë selektive dhe e njëanshme, besoj fuqishëm që qytetarët e vendit do t’a përkrahnin.
Por, në një situatë të tillë, janë lënduar thellë ndjenjat e të gjithë familjarëve të dëshmorëvë, familjarëve të personave të zhdukur, ish luftëtarëve të lirisë etj, gjë që nuk përjashton mundësinë e një destabiliteti të mundshëm në vend, duke e ditur se tashmë përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Luftës veçse janë deklaruar haptas për ndërmarrjen e hapave më radikal.
Në anën tjetër edhe në rrafshin ndërkombëtar, Gjykata Speciale do t’i sjellë Kosovës pasoja. Pozicioni i Kosovës në dialog me Serbinë, do të jetë dukshëm më i dobët.Serbia po bën fushatë të egër në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, duke përdorë vazhdimisht Gjykatën Speciale, për ta paraqitur veten viktimë dhe përgjegjësinë penale për krime të luftës të i’a mvesh Kosovës.
Këtë e dëshmon fakti se nga votimi i kësaj gjykate, Kosova nuk ka arritur të fitojë asnjë njohje të re. Sipas kësaj, Serbia po i’a del mjaft mirë që në rrafshin ndërkombëtar, të vë në pikëpytetje sovranitetin e shtetit.
Ajo që është për të ardhur keq në tërë këtë situatë të krijuar, është se kjo gjykatë është krijuar nga një presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtarë, e votuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës.
Rreze Xhemajli (Master i Shkencave Politike)