Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit dhe Veselit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Kjo masë ndaj tyre është vazhduar përmes dy vendimeve të ndara nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
Në arsyetimin e këtyre vendimeve thuhet se paneli ka konkluduar se vazhdon te ketë mungesë informacioni që justifikojnë gjetjet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen në rast që lirohen, por që ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DhSK-së, kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtar të UÇK-së dhe dëshmitarëve.
“Lidhur me rrezikun e pengimit të përparimit të procedurave të DS-së dhe kryerjes së krimeve të tjera, Paneli mban qëndrimin se asnjë nga masat e parashikuara në Nenin 41(12) nuk mund të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese. Për më tepër, Paneli gjen se masat në vend në objektet e paraburgimit të DhSK-së, të shqyrtuara si tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pa monitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të tjera. Për më tepër, ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë”, thuhet në vendimin ndaj Veselit e ngjashëm edhe në atë ndaj Thaçit.
Paneli gjithashtu ka evidentuar se dy të akuzuarit janë në paraburgim për një periudhë të gjatë dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë. Kështu, iu kërkua palëve që të jenë të kujdesshëm dhe gjyqi të zhvillohet sa më shpejt që është e mundur, raporton Betimi për Drejtësi.
“Paneli vëren, megjithatë, se z. Thaçi (z.Veseli) ka qenë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohe dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë. Siç e ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë nga Paneli, si dhe nga të gjitha Palët, që të jenë veçanërisht të kujdesshëm për të siguruar që gjyqi të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurave nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në dy vendimet.
Si rrjedhojë, paneli ka konstatuar vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Thaçin dhe Veselin është i nevojshëm kështu që u urdhërua vazhdimi i kësaj mase.
Ndërsa, u urdhërua edhe ZPS-ja që parashtrimet e saj për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit t’i dorëzojë deri m 24 shtator 2024 që pastaj palët tjera mund t’i përgjigjen kërkesës.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.