
Gjykata Speciale vendos kushte të reja për Hajredin Kuçin: Të mos komunikojë me asnjërin prej bashkë të akuzuarve
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur kushte të reja përveç asaj të paraqitjes kur është nevoja për Hajredin Kuçin, i cili akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës në një rast së bashku me Hashim Thaçin, Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn dhe Isni Kiljn.
ZPS-ja kishte kërkuar që ndaj Kuçit të shtohet edhe si kusht që ai të mos komunikojë me asnjërin prej bashkë të akuzuarve dhe persona të tjerë që përmenden në aktakuzë si Fahri Fazliu, Blerim Shala, Artan Behrami dhe Vllaznim Kryeziu. Po ashtu, kjo masë ndaj Kuçit është edhe për dy persona të tjerë emrat e të cilëve janë të redaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo kërkesë është aprovuar më 19 dhjetor 2024 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, vendimi cili u bë publik më 17 mars 2025. Mosrespektimi i kushteve të vendosura ndaj Kuçit, sipas vendimit kanë pasojë urdhrin për arrestim dhe ndalimin e tij.
Sipas ZPS-së, ky kusht ndaj Kuçit është i nevojshëm për të mbrojtur procedurat. Gjithashtu, Prokuroria argumenton se duke pasur akuzat në aktakuzën e konfirmuar dhe aftësinë e qëllimin e Kuçit për të keqpërdorur informacionin konfidencial në shkeljen e urdhrave të gjykatës për qëllime të pengimit të procedurave të DhSK-së, ekziston rreziku që një ose më shumë persona që tashmë janë të ndaluar mund të përpiqen që të koordinohen ose nxisin tashmë të akuzuarin që të kryejë krime të tjera.
ZPS-ja argumenton se masa e vetme praktike dhe efektive për të evituar çdo rrezik të procedurave është ndalimi i Kuçit të ketë kontakt me personat e ndaluar dhe ata që përmenden në aktakuzën e këtij rasti.
Në kërkesën e Prokurorisë, nuk është përgjigjur mbrojtja e tashmë të akuzuarit Kuçi.
Ndryshe, në thirrjen e gjykatës ndaj Kuçit, tashmë i akuzuari ka qenë i urdhëruar që të mos diskutojë me asnjë person përjashtimisht avokatin e tij lidhur me procedurat që kanë nisur ndaj tij e po ashtu as për akuzat. Veç kësaj, në këtë vendim, Kuçit i ndalohet komunikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë me ndonjë dëshmitar ose viktimë të mundshme që mund të ketë ky rast.
Ndërsa, tani ZPS-ja ka kërkuar ndalim të veçantë për çdo kontakt përmes çdo mënyre me personat e ndaluar lidhur me këtë rast.
Si rrjedhojë, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konsideruar se kërkesa e ZPS-së është vetëm shtimi i një kushti në kushtet tashmë të vendosura në vendimin për fletëthirrje ndaj Kuçit.
Duke u ndalur tek të bashkakuzuarit e Kuçit, gjyqtarja e ka përmendur faktin se sipas aktakuzës të gjithë ata akuzohen për mosbindje ndaj gjykatës.
Si rrjedhojë, Masselot në vendimin e saj thotë se është bindur që ndalimi i çdo kontakti midis Kuçit dhe personave që përmenden në aktakuzë është i nevojshëm për përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave dhe mbrojtjen e integritetit të saj.
“Po ashtu, sa i përket [REDAKTUAR], Gjyqtari i Paraprak konsideron se, edhe pse ata nuk akuzohen dhe/ose nuk janë të emëruar në Aktakuzën e Konfirmuar, ata: (i) vizituan së bashku Z. Thaçi më [REDAKTUAR], ku diskutuan mbi dëshmitë e dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara; dhe (ii) ishin objekt i diskutimeve midis Z. Thaçi dhe Z. Kuçi. Për rrjedhojë, Gjyqtari i Paraprak është i bindur që ndalimi i çdo kontakti të drejtpërdrejtë ose të tërthortë midis Z. Kuçi dhe [REDAKTUAR] është i nevojshëm”, thuhet në vendim.
Në këtë fazë, deri në një urdhër tjetër, vendimi e obligon Kuçin që ai të përmbahet nga çdo komunikim me Thaçin, Smakajn, Fadil e Fahri Fazliu, Shalën, Behramin, Kryeziun, Kilajn dhe një person emri i të cilit është i redaktuar.
Ndërsa, si masë ndëshkimore në rast të mosrespektimit të këtij vendimi u tha se do të jetë nxjerrja e një urdherarresti për Kuçin, si dhe ndalimin e tij.
Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.