Gjykata Speciale vendos masa ndaj Kuçit: Ndalohet të flas për akuzat me familjarë dhe të bëjë deklarata publike
Ndonëse e la të lirë, Gjykata Speciale ka vendosur një varg masash ndaj ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Gjykata e ka urdhëruar Kuçin ndër të tjera që të mos diskutojë përmbajtjen e akuzave dhe procedurës, as me familjen e tij, përveç avokatit mbrojtës.
Ish ministrit, gjithashtu i është ndaluar të deklarohet në media dhe të bëjë deklarata publike.
“(D) të përmbahen, në këtë fazë dhe deri në urdhër të mëtejshëm, nga çdo kontakt ose komunikimi, i drejtpërdrejtë ose i tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe përmes çdo mjeti, me ndonjë dëshmitar (të mundshëm) apo viktimë në rastin aktual ose ndonjë rast tjetër para Gjykatës; (f) t’i përmbahet çdo kufizimi për lëvizjet e tij në territorin e Shtetit Pritës, që mund t’i imponohet atij nga shteti pritës, gjatë periudhës së qëndrimit të tij në të; dhe të jetë në përputhje, në çdo rast, me të gjitha udhëzimet e Sekretarit për qëllimet e paraqitjes së tij para Gjykatës”, thuhet në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.
Një ndër arsyet pse Gjykata ka vlerësuar se në rrethanat aktuale nuk ka rrezik që Kuçi do t’i shmangej ballafaqimit me drejtësinë, është lartësia e dënimit për veprën që dyshohet, dhe karriera e tij politike.
“Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se pavarësisht lidhjeve të z. Kuçi me Thaçi dhe Veseli, karriera e tij shumëvjeçare politike, dhe dënimi potencial i ulët lidhur me to, i jep z. Kuçi pak motiv dhe/ose nxitje për të ikur nga një dënim i tillë i mundshëm. z. Kuçi është penalisht përgjegjës për dy pika të aktakuzës: mospërfillja e gjykatës, ku dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet më tej në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.
Hajredin Kuçi më 9 dhjetor është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën, të cilën ZPS-ja e kishte dorëzuar të ndryshuar në qershor të këtij viti, ndërsa në nëntor u konfirmua nga Gjykata.
Kuçi po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.
Ndërkohë Thaçi, Smkaj dhe të tjerët janë në paraburgim.
Një ndër arsyet sipas gjykatës është që Thaçi dhe Smakaj kanë kapacitetin dhe aftësinë për të marrë mbështetjen e zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve sikurse atyre inteligjent dhe policorë, që sipas Gjykatës mund të ju ndihmojnë për të ikur, duke përfshirë edhe kalimin e paligjshëm të kufijve. /ATV