Gjykata Supreme i jep të drejtë vendimit të BQK-së për KS “Kosova e Re”
Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit – propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-menaxher dhe aksionar i vetëm i kompanisë së Sigurimeve “Kosova e Re”, Sh.A., të ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021.
“Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021 është aprovuar ankesa e BQK-së dhe është refuzuar kërkesa e propozueses, Shoqëria ‘Fitorja’ Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku -menaxher dhe aksionar i vetëm i kompanisë së Sigurimeve ‘Kosova e Re’, Sh.A., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me seli në Prishtinë me nr. 70-24/2021, të datës 24.09.2021”, ka njoftuar BQK-ja.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate aktvendimi i Gjykatës së Apelit është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet vendimore që kanë rezultuar me marrjen e tij, duke u bazuar edhe në dispozitat ligjore të Ligjit për BQK-në, të cilat rregullojnë ndalimin e shqiptimit dhe ekzekutimit të ndonjë mase, para se të nxjerrët vendimi përfundimtar gjyqësor në çdo veprim ligjor të parashtruar para gjykatave të Republikës së Kosovës.