Gjykata Supreme sqarohet rreth rastit “Drenica”
Gjykata Supreme e Kosovës ka sqaruar për opinionin se nuk është organ kompetent për të vendosur lidhur me lirimin me kusht të asnjë të dënuari, duke iu referuar grupit ‘Drenica’.
Ky sqarim i kësaj gjykate ka ardhur pas lirimit të Jahir Demakut, por edhe jo të Sylejman Selimit, i cili nuk është liruar nga Gjykata Supreme
“Gjykata Supreme sqaron opinionin se nuk është kompetente për të vendosur lidhur me lirimin me kusht të asnjë të dënuari. Në rastin e A.D., B.D., D.D., S.D., F.D., J.D., N.D., Z.D., S.S. dhe I.Th, Paneli për lirim me kusht, i cili funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka vendosur për lirimin me kusht, të njërit prej të dënuarve” është thënë në sqarimin e Gjykatës Supreme.
Kjo gjykatë ka bërë me dije se ka hedhur poshtë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokatët e të dënuarve.
“ Gjykata Supreme ka vendosur vetëm për kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar nga avokatët mbrojtës të të dënuarve në rastin në fjalë. Kjo kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, nga kolegji i Gjykatës Supreme, është refuzuar si e pabazuar. Të bashkëngjitur gjeni aktgjykimin PML 158/2018, i cili është ekspeduar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, me datë 25 tetor 2018”, është thënë në këtë sqarim.