Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjakovë bëhen me kryetar të rinj
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) përmes aplikacionit “Zoom”, ka mbajtur takimin e 235-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Takimi ka filluar me aprovimin e plotësim/ndryshimit të vendimit të KGjK-së, të 23 qershorit 2020, për miratimin e listës së gjyqtarëve për të qenë pjesë e listës së paneleve hetimore, me mandat tre (3) vjeçar.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së, kanë zgjedhur anëtaren e Komisionit për Rishqyrtim të Ankesave, gjyqtaren Diellza Hoxha.
Po ashtu, pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, kanë përzgjedhur dhe emëruar kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, gjyqtarin Armend Berisha, si dhe kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, gjyqtarin Nikollë Komoni.
Anëtarët e KGjK-së kanë aprovua kërkesën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq lidhur me transferimin e një gjyqtari në Gjykatën e Apelit, të cilit paraprakisht i lejohet përfundimi i një lënde penale.
“Mes tjerash është diskutuar edhe situata e gjyqësorit dhe përshtatja e punës së gjykatave në gjendje të pandemisë, me ç’rast kryesuesi Çoçaj u ka bërë thirrje të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së.