“Gjykata Themelore në Prishtinë mohon gjenocidin në Kosovë”
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, kryetar i së cilës është veprimtari Bardhyl Mahmuti, i ka drejtuar ankesë publike Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën e Apelit të Kosovës, duke theksuar se Departamenti për Krime Lufte dhe Gjykata Themelore në Prishtinë kanë shkelur rëndë të drejtën e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në fshatin Izbicë duke dënuar me vetëm 15 vjet burgim Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Sipas Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” Gjykata Themelore në Prishtinë mohon gjenocidin në Kosovë.
“Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës e bën edhe më të rëndë këtë papërgjegjësi, sepse krijon precedentin që mund të përdoret nga mohuesit e gjenocidit në Kosovë si argument i jurisprudencës së gjykatave vendore, se gjoja në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid, madje as krime kundër njerëzimit, por vetëm krime të shkallës më të ulët: krime lufte! Ftojmë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit dhe të Gjykatës së Apelit, që të ushtrojnë ndikimin e tyre në përputhje me kompetencat që kanë që të rikthejnë rastin e Muharrem Alidemajt për rigjykim dhe të kërkojnë rikualifikimin e veprës penale nga krime lufte në krim të gjenocidit, si kusht paraprak për të ngadhënjyer drejtësia dhe të vihet përpara përgjegjësisë individuale për pjesëmarrjen e tij në krimin e gjenocidit në fshatin Izbicë!”, është theksuar në ankesën e kësaj qendre.
Ankesa e plotë e Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”:
Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Këshillit Prokurorial të Kosovës
Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën e Apelit të Kosovës
ANKESË PUBLIKE:
Departamenti për Krime Lufte dhe Gjykata Themelore në Prishtinë kanë shkelur rëndë të drejtën e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në fshatin Izbicë!
Të nderuar anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,
Të nderuar anëtarë Këshillit Prokurorial të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Të nderuar anëtarë të Gjykatës së Apelit,
Duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të sigurojë funksionimin e pavarur, profesional dhe të paanshëm të gjykatave në Kosovë dhe të vlerësojë njohuritë profesionale, kapacitetin për arsyetime ligjore, aftësinë profesionale, aftësinë dhe kapacitetin në analizimin e problemeve ligjore, aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndershme, me kujdes dhe me përgjegjësi;
Duke pasur për bazë faktet:
– më 29 mars 2022, z. Ilir Morina, prokuror i Departamentit për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër Muharrem Alidemajt, për arsye se dyshohej që, “si pjesë e forcave ushtarake dhe policore serbe, më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë, ka kryer veprën penale Krimi i Luftës kundër popullsisë civile”;
– për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues me përbërje: Vesel Ismajlin (kryetar), Kushtrim Shytin (anëtar) dhe Violeta Namanin (anëtare), dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Rikujtojmë se në bazë të së drejtës penale ndërkombëtare, klasifikimi i krimeve më të rënda bëhet si më poshtë:
1. në kategorinë e parë është krimi i gjenocidit, si krim më i rëndë, që ka për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë;
2. në kategorinë e dytë janë klasifikuar krimet kundër njerëzimit, ku futen veprat që janë kryer gjatë një sulmi të përgjithshëm dhe sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile;
3. në kategorinë e tretë dhe të fundit janë krimet e luftës, ku përfshihen krimet që ndodhin gjatë një konflikti të armatosur ndërkombëtar apo jo ndërkombëtar dhe nuk janë respektuar të drejtat e kategorive të mbrojtura me Konventat e Gjenevës të vitit 1949.
4. krimi i agresionit si kategori e katër është e një natyre tjetër.
Duke marrë në konsideratë faktin se, në arsyetimin e tij për ngritjen e aktakuzës, prokurori Ilir Morina pretendon se mbështetet në jurisprudencën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (f.10, 46, 48, 49, 51 etj.) dhe i referohet vendimit të kësaj gjykate në procesin gjyqësor kundër udhëheqësve të Jugosllavisë: Millan Millutinoviqit (Milan Milutinović), Nikolla Shainoviqit (Nikola Šainović), Nebojsha Pavkoviqit (Nebojša Pavković), Vllastimir Gjorgjeviqit (Vlastimir Đorđević) dhe Sreten Llukiqit (Sreten Lukić) . Madje që në fillim të arsyetimit theksohet: “Masakra e Izbicës është një nga masakrat më të mëdha që ka ndodhur në territorin e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovës, gjatë viteve 1998-1999. Disa udhëheqës shtetërorë të RFJ-së dhe Serbisë, u gjykuan dhe u dënuan për këtë masakër dhe disa të tjera në tërë territorin e Kosovës”;
Duke pasur parasysh faktin, që përkundër asaj se prokurori Ilir Morina ka qenë në dijeni të përmbajtjes së vendimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, të cilave u referohet, ai ka përpiluar një aktakuzë që degradon natyrën e krimit që është kryer në fshatin Izbicë, duke e kualifikuar si “krim lufte”;
Duke pasur parasysh faktin, se mbi bazën e kësaj aktakuze trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i përbërë nga Vesel Ismajli, Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani, sollën vendimin që legjitimon degradimin e natyrës së krimit që është kryer në fshatin Izbicë;
Duke vepruar në këtë mënyrë, prokurori dhe trupi gjykues në fjalë kanë dëshmuar papërgjegjësi profesionale me pasoja të mëdha.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” bën ankesë publike për shkak se Departamenti për Krime Lufte dhe Gjykata Themelore në Prishtinë kanë shkelur rëndë të drejtën e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në fshatin Izbicë!
ARSYETIM
1. Që në kontaktet e para të kryeprokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte (Karla Del Ponte) me pushtetarët e rinj në Beograd pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit, ajo u kërkoi arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Mirëpo hasi në refuzim kategorik, sepse, siç pohon zëdhënësja e Prokurores Del Ponte, Florence Hartmann, “zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë mund të shpinin deri te dënimi i Serbisë për gjenocid.” [Florence Hartmann, Paix et châtiment, (Paqja dhe ndëshkimi), Flammarion, 2007, f. 118].
Për të ilustruar këtë pohim, zëdhënësja Hartmann sjell qëndrimin e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanović (Svillanoviq), i cili në zyrën e kryeprokurores Del Ponte në Hagë, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanović kishte deklaruar se, “nëse ju ndihmojmë ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet të paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…” (Vepra e cituar e Florence Hartmann-it, f. 118).
Përveç refuzimit të dorëzimit të dëshmive të krimit të gjenocidit, udhëheqësit e rinj të Beogradit deklaronin haptazi, se “interesi jetësor kombëtar” i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të gjitha informatat që mund ta bënin përgjegjëse Serbinë për krimin e gjenocidit. Ajo që është edhe më neveritëse në strategjinë e regjimit të Vojislav Koštunica-s (Vojisllav Koshtunica) për të fshehur faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë lidhet me qëndrimet e pushtetit në Beograd, se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në rajon dhe veprojnë kundër paqes”. (Vepra e cituar e Florence Hartmann-it, f. 118).
Fshehja e provave të gjenocidit nga ana e autoriteteve të Beogradit mund të jetë e kuptueshme për arsye të vazhdimësisë së strukturave të regjimit të Millosheviqit në pushtetin “e ri”. Por ajo që është “e çuditshme” në këtë strategji, lidhet me marrëveshjen që gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishin bërë me autoritetet e Serbisë, për t’i mbajtur të fshehura provat nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga publiku dhe të mos akuzonin Serbinë për Krimin e Gjenocidit që kishte kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo Florence Hartmann denoncoi publikisht këtë marrëveshje dhe për herë të parë nxori në shesh të dhëna të sakta lidhur me hipokrizinë e drejtësisë ndërkombëtare. Vërtetësinë e marrëveshjes mes Gjykatës së Hagës dhe Serbisë, që ia zbuloi publikut Florence Hartmann, nuk e kundërshtoi askush. As Gjykata e Hagës, që ngriti akuzë kundër saj për publikimin e dokumenteve konfidenciale, nuk e mohoi vërtetësinë e strategjisë së fshehjes së provave të krimit.
2. Si rezultat i marrëveshjes që kishte bërë Carla Del Ponte me pushtetarët e Beogradit, udhëheqësit e shtetit serb u akuzuan për krime kundër njerëzimit, krime që hyjnë në kategorinë e krimeve një shkallë më poshtë se krimi i gjenocidit.
Në proceset gjyqësore që u referohet prokurori Ilir Morina, udhëheqësit e lartpërmendur serbë u akuzuan dhe u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krimet e mëposhtme:
– dëbimi, si krim kundër njerëzimit (vepra e parë);
– vrasja, si krim kundër njerëzimit (vepra e dytë);
– vrasja, si shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës ( vepra e tretë dhe e katërt);
dhe
– persekutimi, si krim kundër njerëzimit (vepra e pestë);
(Referenca: Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Çështja nr: IT-05-87-T, vendimi i datës 26 shkurt 2009, f. 9).
Në këtë vendim të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, çështja e krimeve të kryera në fshatin Izbicë trajtohet hollësisht nga paragrafi 557 (f. 240) e deri në paragrafin 1223 (f. 510).
Në përfundim të shqyrtimit të provave materiale dhe dëshmive që u prezantuan gjatë procesit gjyqësor, Dhoma erdhi në këtë përfundim:
“Sa i përket vrasjes të së paku 93 shqiptarëve të Kosovës në Izbicë, nuk ka asnjë dyshim se autorët e krimit kanë shkaktuar dhe kanë dashur vdekjen e këtyre personave, Dhoma erdhi në konkluzionin, që të gjitha elementet konstitutive të krimit të vrasjes, si shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës të ndëshkueshme me nenin 3 të statutit janë plotësuar. Për më tepër, duke pasur parasysh faktin se këto krime janë kryer në kuadër të një sulmi të përgjithshëm dhe sistematik kundër popullsisë civile dhe se aktet e autorëve të krimit bëjnë pjesë në kuadër të këtij sulmi, për pasojat e së cilave ishin në dijeni ata ose personat nën urdhër të të cilëve vepronin, Dhoma është e bindur se të gjitha elementet e krimit të vrasjes, si krim kundër njerëzimit, të dënueshme në përputhje me nenin 5 të statutit, janë përmbushur. Në fund, duke kryer këto krime, autorët e krimit synonin shqiptarët e Kosovës për shkak të origjinës së tyre etnike, duke i fyer dhe duke i detyruar të heqin kapelat e tyre tradicionale, duke i çnderuar në këtë mënyrë simbolet e origjinës së tyre etnike. Sipas Dhomës të Shkallës së Parë, autorët e krimit kanë kryer vrasje në mënyrë të vetëdijshme, me qëllim që të zbatojnë një diskriminim kundër shqiptarëve të Kosovës, si grup etnik. Prandaj të gjitha elementet përbërëse të krimit të persekutimit që mori formën e vrasjes, dëshmojnë se janë përmbushur të gjitha kushtet se ka ndodhur një krim kundër njerëzimit, i dënueshëm me nenin 5 të statutit”. (Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Çështja nr: IT-05-87-T, vendimi i datës 26 shkurt 2009, paragrafi 1223, f. 510).
3. Nga dëshmia e sipërcituar e zëdhënëses së Carla Del Pontes, Florence Hartmann, del qartë se, si pasojë e pazarllëqeve që kishin bërë prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, u hoq dorë nga akuza për Krimin e Gjenocidit që kishin kryer forcat e armatosura serbe kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999 dhe akuza u degradua për një shkallë më ulët: Krime kundër Njerëzimit!
Nuk e di se cilat janë motivet e vërteta, që e kanë shtyrë prokurorin e Departamentit të Krimeve të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, të përpilojë një aktakuzë të tillë, nëpërmjet së cilës aktet gjenocidale që kanë kryer forcat e armatosura serbe në Izbicë t’i degradojë në shkallën më të ulët të krimeve: në krime lufte! Mirëpo një veprim i tillë paraqet një papërgjegjësi profesionale të shkallës së rëndë, me pasoja të mëdha për ndriçimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe ngadhënjimin e drejtësisë!
4. Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës e bën edhe më të rëndë këtë papërgjegjësi, sepse krijon precedentin që mund të përdoret nga mohuesit e gjenocidit në Kosovë si argument i jurisprudencës së gjykatave vendore, se gjoja në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid, madje as krime kundër njerëzimit, por vetëm krime të shkallës më të ulët: krime lufte!
Ftojmë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit dhe të Gjykatës së Apelit, që të ushtrojnë ndikimin e tyre në përputhje me kompetencat që kanë që të rikthejnë rastin e Muharrem Alidemajt për rigjykim dhe të kërkojnë rikualifikimin e veprës penale nga krime lufte në krim të gjenocidit, si kusht paraprak për të ngadhënjyer drejtësia dhe të vihet përpara përgjegjësisë individuale për pjesëmarrjen e tij në krimin e gjenocidit në fshatin Izbicë!
Gjenevë, 15 korrik 2024
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
Bardhyl Mahmuti, Kryetar