
Gjykata Themelore në Tetovë i reagon Mickoskit: Dënimi i Mensur Pajazitit në pajtim me ligjin
Ka reaguar Gjykata Themelore e Tetovës prej nga thonë se gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit dhe apelojnë deri tek opinioni që, siç thonë ata, të përmbahen nga komentet e paarsyeshme
Vendimi i gjykatësit të Gjykatës Themelore të Tetovë, Elvedin Ferati që të shqiptojë dënim me dy vite burg për Mensur Pajazitin, i cili u shpall fajtor për aksidentin tragjik të ndodhur në vitin 2022, ku humbi jetën 22-vjeçarja Teodora Ristovska, shkaktoi reagime të mëdha në vend. Reagimit të familjes dhe opinionit maqedonas iu bashkëngjit edhe kryeministri Hrsitijan Mickoski, i cili tha se është thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Tetovës dhe se kërkon nga Këshilli Gjyqësor që të marrë masa për punën e gjyqtarit. Në ndërkohë, ka reaguar Gjykata Themelore e Tetovës prej nga thonë se gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit dhe apelojnë deri tek opinioni që, siç thonë ata, të përmbahen nga komentet e paarsyeshme.
“Gjatë caktimit të dënimit për të akuzuarin, gjyqtari ka marrë parasysh si rrethanat rënduese ashtu edhe ato lehtësuese, përkatësisht: mënyrën e kryerjes së veprës penale, përgjegjësinë penale të të akuzuarit, sjelljen e tij në sallën e gjyqit, rrethanat që kanë të bëjnë me llojin, karakterin, peshën dhe seriozitetin e veprës penale, kushtet e rrugës, rrethanën që e ndjera në rrugë ka qenë duke kaluar vend të caktuar për këmbësor, pasojat e dëmshme të shkaktuara si pasojë e veprimit të inkriminuar, rrethanë që përfaqësuesit ligjorë të të ndjerës iu bashkuan ndjekjes penale dhe ngritën kërkesë pasurore, rrethanën që i pandehuri ka pranuar fajin, ka shprehur keqardhjen për ngjarjen, se i akuzuari nuk ka qenë më pare i dënuar dhe se ndaj tij nuk zhvillohet asnjë procedim për vepër tjetër penale. Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari në procedurë të përsëritur e ka dënuar të akuzuarin me dënimin maksimal të lejuar, duke marrë parasysh ndalimin e ndërrimit për dënim më të keq si parimi i parashikuar në Ligjin për Procedurë Penale, në një situatë kur, me kërkesë të të akuzuarit, Gjykata Supreme ka rrëzuar vendimet dhe rasti i është kthyer gjykatës së shkallës së parë për rivendosje dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk mund të ndryshohet në dëm të të akuzuarit, as në aspektin e kualifikimit ligjor të veprës dhe as në lidhje me sanksionin penal”, thuhet në reagimin e Gjykatës Themelore në Tetovë.
Nga Gjykata Themelore në Tetovë më tej njoftuan se rasti pasi është kthyer në rigjykim, i është caktuar një gjyqtari tjetër сепсе gjyqtari që fillimisht e kishte dënuar të akuzuarin me 3 vjet e 6 muaj burg, ishte pensionuar. Si shumë herë, edhe kësaj radhe, gjyqtarit që në këtë rast ishte shqiptar, iu vërsulën të gjithë mediat dhe opinionin maqedonas, por për rastet tjera kur viktimë janë shqiptarët, zëri i tyre nuk dëgjohet.
Ndryshe, Mensur Pajaziti është fajtor se në muajin gusht të vitit 2022 në Tetovë, si pjesëmarrës në komunikacion nuk ka respektuar rregullat dhe me këtë e ka rrezikuar sigurinë. Në dënimin e shqiptuar thuhet se ai ka drejtuar veturën BMW dhe ka qarkulluar në bulevard me shpejtësi 59 kilometra në orë, shpejtësi e cila nuk ka qenë e përshtatur me kushtet në rrugë dhe nuk mundet që në kohë të ndalojë veturën, me ç’rast nuk i ka dhënë përparësi kalimi tashmë të ndjerës Teodora Ristovskës, e cila ka kaluar në vizë bardhat për këmbësorë”, thuhej në vendimin e gjykatësit.\koha\.