Gjykata turke dënon me burgim gjashtë gazetarë
Një gjykatë turke ua ka shqiptuar dënimin me burgim gjashtë gazetarëve dhe një punonjëse të financave në mediumin opozitar “Sozcu”, nën akuzat se kanë ndihmuar në orkestrimin e grushtshtetit të dështuar në vitin 2016.
Gazeta “Sozcu”, e ka përshkruar aktgjykimin si një shenjë të zezë në historinë e shtypit të lirë. Të tetë të pandehurit e pranishëm në seancën gjyqësore kërkuan të shfajësohen nga akuzat.
Ankaraja ka shënjestruar në vazhdimësi, përkrahësit e dyshuar të Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me bazë në ShBA, që nga përpjekja për atë që autoritetet turke e quajnë tentim grushtshteti, në korrik 2016, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz.
Kolumnistët e shquar, Emin Colasan dhe Necati Dogru, si dhe redaktorët Mustafa Cetin dhe Metin Yilmaz janë dënuar nën akuzat se kanë ndihmuar rrjetin Gulenist, ka njoftuar gazeta “Sozcu”.
Secili është dënuar me më shumë se tre vjet burgim.
Koordinatori i lajmeve në internet, Yucel Arı, reporteri Gokmen Ulu dhe drejtoresha e financave, Yonca Yücekaleli, janë dënuar me dy vjet dhe një muaj burgim.
Gjykata ka vendosur të lirojë gazetaren Mediha Olgun, ndërsa vendimi për pronarin e gazetës Burak Akbay është shtyrë pasi ai ishte duke u gjykuar në mungesë.
Që nga viti 2016-ë, më shumë se 77 mijë persona janë burgosur dhe janë në pritje të gjykimit si dhe rreth 150 mijë shërbyes civilë, personel ushtarakë dhe të tjerë janë larguar ose pezulluar nga puna e tyre, nën akuzat se janë përkrahës të Gulenit.
Guleni, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në Pensilvani që nga viti 1999, ka mohuar çdo përfshirje në grushtshtet.