
Gjykata turke urdhëron burgosjen e Imamoglut
Një gjykatë zyrtarisht e ka arrestuar kryetarin e Stambollit dhe rivalin kyç të presidentit Recep Tayyip Erdogan më 23 mars dhe e ka urdhëruar atë të dërgohet në burg deri në përfundimin e gjykimit lidhur me akuzat për korrupsion.
Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ishte ndaluar pas një bastisjeje në shtëpinë e tij më herët gjatë javës, duke nxitur valën më të madhe të protestave në Turqi për më shumë se një dekadë. Arrestimi i tij po ashtu ka thelluar shqetësimet lidhur me demokracinë dhe sundimin e ligjit në Turqi.
Burgosja e tij gjerësisht shihet si lëvizje politike për të larguar një kundërshtar kyç nga gara e ardhshme presidenciale, që aktualisht është caktuar që të mbahet më 2028.
Zyrtarët qeveritarë kanë mohuar akuzat se veprimet ligjore ndaj figurave opozitare janë të motivuara politikisht dhe kanë insistuar se gjykatat e Turqisë veprojnë në mënyrë të pavarur.
Arrestimi zyrtar vjen pasi partia e tij opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP), nisi të mbajë zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur kandidatin për president, me qëllim që të mbështesë Imamoglun për këtë post, pavarësisht arrestimit të tij.
Kjo parti ka vendosur në mbarë vendin kuti simbolike të votimit – duke i quajtur “kuti të solidaritetit” – dhe duke lejuar qytetarët, që nuk janë anëtarë të partisë, që të shprehin mbështetjen e tyre për kryetarin e Stambollit.
Arrestimi i kryetarit shënon një përshkallëzim të shtypjes së Qeverisë ndaj figurave opozitare dhe zërave kritikë.
Para arrestimit të tij, Imamoglu veçse përballej me disa raste penale që mund të rezultonin me dënim me burgim dhe me një ndalesë politike. Ai ishte në proces të apelimit të një dënimi të shqiptuar më 2022 për fyerjen e anëtarëve të Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë.
Më herët gjatë javës, një universitet anuloi diplomën e tij, duke thënë se kishte pasur parregullsi gjatë transferimit të Imamoglut nga një universitet privat në Qipro rreth 30 vjet më parë. Ky vendim në mënyrë efektive ia ndalon atij që të garojë për president, pasi ky post kërkon që kandidatët të kenë diploma universitare. Imamoglu është zotuar se do ta sfidojë vendimin.
Imamoglu ishte zgjedhur kryetar i qytetit më të madh në Turqi në mars të vitit 2019, duke i dhënë një goditje të rëndë Erdoganit dhe partisë së tij e cila kishte udhëhequr me Stambollin për një çerek shekulli. Partia e Erdoganit kishte tentuar që të anulonte rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke pretenduar se kishte pasur parregullsi.
Pas kësaj, zgjedhjet u përsëritën dhe Imamoglu fitoi sërish. /REL/