Gjykata vendos arrest shtëpie për Saimir Tahirin
Gjykata e Krimeve të Rënda e Shqipërisë, ka vendosur ditën e sotme masën e ndalimit arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Tahiri dyshohet për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.
Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3.