Gjykata vendos në rastin e arratisjes së Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja
Gjykata në Prishtinë e mori vendimin e saj në lidhje me gjykimin e Sami Lushtakut dhe të tjerëve për arratisjen nga QKUK-ja.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në rastin arratisjes nga QKUK-ja.
Lajmin për refuzimin e ankesave e ka konfirmuar për “Kallxo.com” Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Aktakuza u kundërshtua nga shumica e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre më 2 shkurt të këtij viti.
Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.
E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.
Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.
Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.
Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.
Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.