Gjykata vendos për dëmshpërblim milionësh për familjet e viktimave të aksidentit ajror në Iran
Një gjykatë në Ontario të Kanadasë ka marrë vendim për ofrimin e 107 milionë dollarëve kanadezë, plus interesin, për familjet e gjashtë personave që vdiqën në aksidentin ajror në Iran, kur Rojat Revolucionare të Iranit kishin rrëzuar një aeroplan të kompanisë “Ukraine International Airlines”, rreth dy vjet më parë.
Irani e rrëzoi aeroplanin në janar të vitit 2020. Të gjithë 176 personat që ndodheshin në të e humbën jetën, përfshirë 55 shtetas kanadezë e 30 banorë të përhershëm, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.
Avokati i gjashtë personave që iu ofrua dëmshpërblimi, Mark Arnold, tha përmes një deklarate se ata kanë humbur burrin ose gruan, vëllanë ose motrën, fëmijët, nipat ose mbesat. Ata kanë paraqitur padi kundër Iranit dhe disa zyrtarëve, për të cilët besojnë se janë fajtor për incidentin.
Sipas avokatit, ekipi i tij do të përpiqet që të konfiskojë asete të Iranit në Kanada dhe në shtete të tjera. Ai tha se Irani ka anije për transportim të naftës në shtete të tjera dhe ekipi i tij do të mundohet që të konfiskojë gjithçka që mundet për t’ua siguruar dëmshpërblimin familjarëve.
Një ekip i posaçëm kanadez i forenzikës kishte hartuar një raport vitin e kaluar, me të cilin Irani akuzohej për paaftësi dhe pamaturi rreth rrëzimit të aeroplanit të udhëtarëve. Irani e kishte kritikuar raportin si “shumë të politizuar”.
Irani kishte pranuar se kishte rrëzuar një aeroplan pak kohë pas ngritjes në qiell nga Teherani në janar të vitit 2020 dhe kishte thënë se është bërë një “gabim katastrofal” nga forcat që ishin në gatishmëri të lartë gjatë në kohën e tensioneve me Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së komandantit të fuqishëm iranian, Qassem Soleimani, përmes një sulmi me dron nga ShBA-ja.