Gjykatat serbe nisin një seri aktakuzash ndaj personaliteteve shqiptare në Luginë

09 shkurt 2022 | 21:47

Gjykatat serbe në Vranjë e Bujanoc kanë nisur një seri ftesash për personalitete të caktuara shqiptare në Luginën e Preshëvës të cilat prokuroria serbe i akuzon për shkelje ligjesh.

Ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Granit Sadriu është ftuar në gjykatë me arsyetimin se ka shkelur ligjin derisa ka lëshuar njërën nga sallat e këtij institucioni për manifestimin e Ditës së Flamurit Kombëtar.

“Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Në vendet tjera në shekullin XXI njerëzit mendojnë për zhvillim ekonomik”, deklaroi Sadriu.

Nga ana tjetër departamenti Special i Prokurorisë së Nishin ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Shaip Kamberi për tejkalim të ndarjeve buxhetore kur ai ishte kryetar i Bujanocit.

“Unë do të përballem në aspektin juridik me këtë aktakuzë, dhe nëse e shoh që akuza është politike do t’i përgjigjem në mënyrë politike”, deklaroi Kamberi.

Me aktakuza nga gjykatat serbe po përballet edhe kryetarja aktuale e Preshevës Ardita Sinani dhe ish-kryetari Shqipërim Arifi.

Për Jeton Ismailin nga shoqëria civile, veprimet e tilla nga gjykatat serbe janë të papranueshme dhe tendencioze.

“Këto janë një formë e presionit që çdo ditë e më te për po shtohet, sidomos ndaj intelektualëve shqiptarë, qëllimi final i së cilave duket të jetë braktisja e këtyre trojeve nga shqiptarët”.

Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, derisa shqiptarët përsëri pritet të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koalicioni qeveritar midis SPD, FDP dhe të Gjelbërve në Gjermani…