Gjykatës Kushtetuese i përgjigjet Ministra e Shëndetësisë

02 maj 2020 | 09:05

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vlerësuar se ministri në detyrë, Arben Vitia, ka shkelur Kushtetutën e vendit, kur e vendosi Prizrenin në karantinë për shkak të koronavirusit.

“Të gjitha masat që kemi marrë vijnë si rekomandim direkt i IKSHPK-së. IKSHPK ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19”, thuhet në një komunikatë të MSh-së.

“Puna jonë është bërë gati e pamundur në këtë kohë kur opozita në vazhdimësi ka refuzuar të bashkëpunojë në raport me nismat legjislative”, thekson MSh.

“Megjithatë, ne mbesim të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por po me aq përkushtim ne veprojmë për respektimin e të drejtës në jetë – e cila është e drejtë absolute”, thuhet më tej në komunikatë.

Komunikata e MSh-së:

Të dashur qytetarë,

Sonte pranuam njoftimin nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin KO 61/20.

Sipas këtij njoftimi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Vendimet “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, janë në përputhshmëri me Kushtetutën, me përjashtim të pikave përkatëse të dispozitivit të cilat përcaktojnë kundërvajtjet administrative, ndërsa Vendimin për shpalljen “zonë karantinë” në Komunën e Prizrenit, e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata njëzëri konstatoi se në nxjerrjen e Vendimeve të lartcekura, Ministria e Shëndetësisë, ka vepruar në përputhje me autorizimet e përcaktuara përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, përmes pikave të lartcekura, ishin “të përcaktuara në ligj”. Gjykata gjithashtu konstatoi se të njëjtat ndjekin një “qëllim legjitim”, përkatësisht atë të mbrojtës së “shëndetit publik”, siç është përcaktuar në paragrafin 3 të nenit 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së; janë proporcionale në raport me “qëllimin legjitim” të ndjekur; dhe janë “të domosdoshme në një shoqëri demokratike”.

Mirëpo, Gjykata në anën tjetër me shumicë votash ka vendosur se vendimi për vendosjen e Komunës së Prizrenit në zonë karantine nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën meqenëse “karantina” sipas Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse.

Ne dëshirojmë të qartësojmë tre gjëra sonte:

  1. Të gjitha masat që kemi marrë vijnë si rekomandim direkt i IKSHPK-së. IKSHPK ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19.
  2. Puna jonë është bërë gati e pamundur në këtë kohë kur opozita në vazhdimësi ka refuzuar të bashkëpunojë në raport me nismat legjislative.
  3. Megjithatë, ne mbesim të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por po me aq përkushtim ne veprojmë për respektimin e të drejtës në jetë – e cila është e drejtë absolute.

Të gjithë së bashku do të organizohemi më së miri edhe për procedurat e mbi të gjitha për mbrojtjen e shëndetit publik.

Bashkë do ta kalojmë edhe këtë fazë të hidhur pandemie.

Falenderime për të gjithë të angazhuarit në këtë betejë, por edhe për të gjithë zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët janë dhe ata në krye të detyrës në këto ditë të vështira.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gaylord Lopez, drejtor i Georgia Poison Center, tha se një…