Gjykatës Themelore në Prishtinë i shtohen 22 gjyqtarë të rinj
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, së bashku me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, Arben Hoti, dhe gjyqtarët përgjegjës të departamenteve të Gjykatës, ka pritur në një takim 22 gjyqtarët e rinj, të cilët dje janë dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi.
Bytyçi fillimisht gjyqtarëve iu ka uruar suksese në punën e tyre dhe ka theksuar nevojën që Gjykata Themelorë në Prishtinë ka për gjyqtarë të rinj.
Po ashtu, ajo ka kërkuar përkushtim dhe angazhim të madh për të sjellë rezultate pozitive në punë.
“Është nder dhe krenari të jeni gjyqtarë pasi do të ndani drejtësi. Ju jeni ata të cilët me punën e juaj do të më bëni krenare mua si kryetare dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Bytyçi gjatë fjalimit të saj.
Kryetarja e Gjykatës iu ka premtuar gjyqtarëve të rinj se do të ketë bashkëpunim profesional dhe mbështetje nga ana e saj dhe nga ana e gjyqtarëve të departamenteve të kësaj gjykate, duke shpresuar se me emërimin e tyre Gjykata Themelore në Prishtinë do të rris edhe më shumë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve.
Gjyqtarët e rinj të sapo dekretuar do të vijojnë trajnimin në periudhën njëvjeçare në Akademinë e Drejtësisë.