Gjykatësi Guillou thotë se hetimet e prokurorisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit
Gjykatësi i procedurës paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka thënë se hetimet e përgjithshme të prokurorisë nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit.
Pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar se do të vazhdojnë me hetime, gjykatësi Nicolas Guillou ka thënë se pjesa më e madhe e hetimeve të ZPS-së duhet të përfundojnë para se çështja të kalojë tek trupi gjykues.
Në konferencën e dhjetë të ecurisë së çështjes, Guillou ka thënë se mbrojtja nuk mund të përgatitet derisa çështja është në evoluim e sipër.
“Në parashtrimet me shkrim ZPS thotë që hetimet e ZPS-së për të realizuar mandatin e saj parashikohen të vijojnë për të ardhmen e parashikueshme. Tani dua të insistoj në faktin që baza faktike e çështjes së ZPS-së duhet të dërgohet për gjykim edhe hetimet e ZPS-së duhet që të kenë përfunduar, në pjesën dërrmuese të tyre, përpara se çështja të transmetohet të trupi gjykues. Hetimet e përgjithshme nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit, është e nevojshëm të kemi një çështje të depozituar që i është transmetuar siç duhet trupit gjykues. Rregulla 102(4) e konfirmon këtë objektiv, vetëm në rrethana përjashtimore mund të nxjerrën prova shtesë dhe më pas të mund të përdore në procesin e gjykimit. Mbrojtja nuk mund të pritet të përgatisë një mbrojtje për një çështje e cila është gjithmonë në evoluim e sipër”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake.
Kjo deklaratë e gjykatësit të procedurës paraprake është mirëpritur nga ekipet e mbrojtjes derisa këto të fundit nuk kanë mundur të japin një pasqyrë për hetimet e tyre.
“E gjithë kjo ka ndikim mbi hetimet e mbrojtjes dhe ka ndikim gjithashtu për çështjen e referimit para trupit gjykues kurdo që ndodh kjo. Ky proces ka nevojë të bëhet transmetimi i gjithë dosjes së çështjes dhe secila prej pikave të akuzës të mund të shpjegohet në detaje”, ka thënë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
E avokati i Hashim Thaçit, Gregory W. Kehoe ka thënë se mbrojtja ka nevojë të ketë më shumë informacion rreth akuzave.
“Ka mbi 326 dëshmitarë, 106 janë anonim nuk e dimë se kush janë këta dëshmitarë dhe mund të marrim identitetin e këtyre personave në mes të hetimeve, në mes të procesit gjyqësor ose më tej, megjithatë ne nuk është se po themi nuk jemi në teren duke bërë hetimet, jemi në teren duke bërë hetimet por po mundohem të them që koha që na duhet për hetimet është shumë herë më e madhe dhe nëse do të kishim më shumë informacion sa i takon akuzave ne do të kishim mundësi të mund të kalonim shumë më tepër procedura dhe hapa të caktuar të hetimit. Por shpeshherë gjendemi në një pozicion se na duhet me marrë me mend se për çfarë po flet prokuroria, dhe ky është një proces që kërkon kohë”, ka thënë Kehoe.
Ndër të tjera, avokati Ben Emmerson ka ngritur çështjen e afateve kohore sa i përket këtij gjykimi.
Ai ka thënë se koha duhet të menaxhohet dhe prokuroria duhet të jetë në gjendje të provojë çështjen e saj dhe sipas tij ky proces nuk duhet të zvarritet.
“Nuk mohohet që prokuroria nuk ka mundur ta zotërojë siç duhet çështjen e saj, një pjesë e kësaj pasoje është se nuk ka prova të drejtpërdrejta për krimet që pretendohet se janë kryer nga asnjëri prej të akuzuarve, gjithçka është mbështetur në ngjarje ku asnjeri prej të akuzuarve nuk janë përfshirë dhe kjo e bënë çështjen edhe më të vështirë për prokurorinë për të ecur përpara prandaj tendenca është që të futin gjithçka si të thuash i fusin në lavaman të gjithë bashkë. Rezultati i këtij procesi është prokuroria ka dhënë vlerësimet e saj për kohën që i kërokohet për dëshmitarët që ajo do të thërras por këto vlerësime kërkojnë më shumë se 1300 orë vetëm për pyetjet e drejtpërdrejta të prokurorisë. Në rastin e Milosheviqit prokuroria përdori gjithsej 360 orë për të paraqitur provat e çështjes së saj që përfshinte edhe pyetjet e bëra nga mbrojtja. Në rastin tonë prokuroria kërkon 1300 orë vetëm për pyetjet e bëra prej palës thirrëse. Në rastin e Milosheviqit u përdoren 360 orë për pyetjet e drejtpërdrejta dhe e tërë çështja zgjati 2 vite”, ka thënë avokati i Kadri Veselit.
Ai ka thënë se po u lejua të zhvillohet procesi sipas shifrave të parashikuara nga prokuroria, i njëjti do të zgjaste me vite.
“Prokuroria duhet të jetë në gjendje të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj, sepse po u lejua me këto shifra që kanë kërkuar do të vazhdojë të paktën dhjetë vite, kjo gjë nuk mund të jetë në interesat e drejtësisë, ajo minon të drejtën ndërkombëtare penale, minon gjithçka të mirë që kjo gjykatë po përpiqet të bëjë, mohon drejtësinë për të akuzuarit dhe drejtësinë për viktimat dhe drejtësinë për dëshmitarët. Është një fatkeqësi e madhe dhe e bënë gjykatën qesharake”, ka thënë Emmerson.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, ZPS ka deklaruar se ka përfunduar nxjerrjen e materialeve ekzistuese të rregullës 102(b) përfshirë përkthimet.
Ndërsa avokati i Thaçit ka thënë se pas konferencës së fundit mbi ecurinë e çështjes, mbrojtja ka pranuar 1954 materiale shtesë sipas rregullës 102(b) dhe vetëm me datë 31 janar 2022 janë pranuar 1613 prej tyre.
Ai ka kritikuar prokurorinë se po dorëzon dokumente vetëm përpara datës kur zhvillohet konferenca mbi ecurinë e çështjes.
Në këtë konferencë mbrojtja gjithashtu ka deklaruar se prokuroria ka redaktuar prova materiale në mënyrë të njëanshme.
“Si është e mundur që ne të bëjmë një kërkesë në mbrojtje të klientit tim për shembull mbështetur në këtë informacion sepse pjesa më e madhe e informacionit është e redaktuar, kështu unë nuk kam asnjë lloj informacioni mbështetës me të cilin mund të bëjë kërkesën sepse nuk di asgjë, di vetëm se bëhet fjalë për qershorin 1998, por sa i takon provave materiale kam vetëm këto fletë të zeza. Ka gjithashtu edhe 106 dëshmitarë anonim, ndoshta një pikë tjetër do ta diskutojmë, mund të jenë dëshmitarë të cilët neve na bëjnë të ditur disa ditë përpara se të bëhet gjykimi 30 ditë përpara këtij informacioni por ideja është që në momentin kur neve të konstatojmë kush janë këta njerëz sigurisht që do të kërkojmë informacion mbështetur në 103, kemi gjithë atë hendek të madh lidhur me ato dokumente që duhet të kemi në posedim dhe çfarë kemi në duar”, ka thënë avokati Kehoe.
Në konferencën e dhjetë mbi ecurinë e çështjes është diskutuar për nxjerrjen e materialeve, përkthimet dhe hetimet nga ana e palëve.
Konferenca e radhës pritet të mbahet më 24 mars 2022.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020. /kp/.