
Gjykimi i Hoxhës, dëshmitarja: Sherri i asaj nate s’ka nisur për faturën prej 400 eurosh
Në Gjykatën e Prishtinës dje u mbajt gjykimi ndaj Dibran Hoxhës dhe të akuzuarve të tjerë.
Dibran Hoxha po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë ndaj viktimës V.C. dhe për – armëmbajtje pa leje, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj po akuzohen për – pjesëmarrje në rrahje, – manipulim me prova, dhe për – armëmbajtje pa leje.
Në seancën e djeshme ka dhënë dëshminë dëshmitarja Alketa Sadiku, e cila kishte qenë punëtore në lokalin “Cobra City”.
Dëshmitarja Sadiku gjatë dëshmisë së saj tha se i akuzuari Roland Susuri e kishte larguar CD-në e kamerave të lokalit.
“Te lokali i Dibranit asnjëherë sa kam punu kamerat nuk janë ndalë sa unë kam punu aty dhe në një moment po e këqyri që Rolandi pe hek prej shtikeri. Unë pamjen e DVR nuk e di por një kuti e di që ka qenë, u tërhek një CD edhe ai vetë më ka thënë: ‘Çka po i hap sytë?’” – tha dëshmitarja Alketa Sadiku.
Dëshmitarja tha se krejt lokalin ka qenë mundësia të shikohet me kamera, edhe nga brenda, edhe nga jashtë.
Ajo theksoi se vrasja nuk kishte ndodhur si rezultat i mospagesës së faturës prej 400 euro, por për shkak se ish e dashura e të akuzuarit Roland Susuri ishte prekur nga tani i ndjeri V.C. dhe se i akuzuari Roland Susuri i kishte kërkuar tani të ndjerit V.C. të mos e prekte atë vajzë dhe të mos i bëjë video. Sipas dëshmitares, kjo kërkesë e tij nuk ishte respektuar dhe se V.C. e kishte shtyrë të akuzuarin Susuri dhe kishte kërkuar takim me Dibran Hoxhën.
“Sherri i asaj nate nuk ka nisur për faturën prej 400 euro. Unë tavolinën e kukësianëve e kam pasë ngat vetit. Unë kam qenë në tavolinë afër tyre. Ne kurrë nuk e kemi pasur obligim për me u ulë me ta sepse neve Dibrani na ka thënë vetëm nëse doni dhe ka qenë pjesa kur ish-femra e Rolandit i bën me kry që janë duke më prekë dhe Rolandi i ka thanë: Çu prej tavoline! Ajo nuk ka pranu me u çu prej tavoline edhe ka shku i ka thënë personit të pajetë (V.C) se nuk lejohet me prekë femra dhe as me bo video sepse është e ndaluar nga shefi. Tani unë nuk ia di emrin por i pari që e ka shty të pajetin me dorë e ka pasë emrin Syara” – tha dëshmitarja Alketa Sadiku.
Dëshmitarja tha se nëse e sheh këtë person e njeh dhe pas kësaj u kthye në sallë dhe bëri me dorë në drejtim të të akuzuarit Jesmir Badallaj.
Po ashtu ajo tha se e kishte parë armë te të dyja grupet, edhe te grupi i Roland Susurit por edhe te grupi i të ndjerit, ndërsa ajo kishte qenë që e kishte thirrur Policinë.
“Kam qenë unë ajo që kam thirrur Policinë dhe ata janë vonu 45 minuta, s’ka pasë diferencë të madhe, si ka hyrë Dibrani brenda ka hyrë edhe Policia edhe ky ka thënë: “A kam lënë burra a çka kam lënë?”. Unë kam qenë në zyre dhe kur ka ardhë Dibrani e kemi parë nga kamerat kur ka ardhë si me pasë ardhë Zoti në tokë sepse kemi qenë shumë të frikësuara. Edhe kur ka ardhë Dibrani kukësianët kanë qenë të ikur nga parkingu”- tha dëshmitarja Alketa Sadiku.
Pas kësaj deklarate prokurorja e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në Prokurori, pasi sipas prokurores disa pjesë të deklaratës së sotme nuk përputhen me disa pjesë të shkruara si në deklaratën të cilën e kishte dhënë në Prokurori.
Pas kësaj dëshmitarja kërkoi të ndërpritet seanca për arsye familjare pasi tha se nuk e kishte parashikuar se mund të vonohet shumë në seancë. E njëjta deklaroi që është e gatshme që të paraqitet në një seancë tjetër. Kjo kërkesë iu aprovua nga trupi gjykues.
Paraprakisht, para kësaj dëshmitare në seancën e sotme kanë dhënë dëshminë edhe dy dëshmitarë të tjerë. Dëshmia e dëshmitares së dytë ishte e mbyllur për publikun ndërsa dëshmitari i parë që dha dëshminë ishte vëllai i Dibran Hoxhës, Enver Amrllahu.
Vëllau i Dibran Hoxhës dha versionin e tij lidhur me natën kritike.
I njëjti tha se para rastit ishte në Gjilan dhe se rreth orës 03:00 pas mesnatës ishin kthyer në Prizren ndërsa gjatë rrugës afër Ferizajt e kishte njoftuar një nga punëtorët e lokalit se janë duke u rrahur në lokalin e Dibranit.
Pasi që kishin mbërritur në lokal dhe kishin hyrë brenda e kishin parë se gjendja e lokalit ishte e shkatërruar.
“Si kemi hyrë brenda, si i kemi çelë dyert ishin tavolina të thyme, karrika, shishe. Dibrani ishte brenda duke u bërtitur punëtoreve se qysh keni leju me shkatërru lokalin kështu në këtë formë” – tha Enver Amrllahu.
Tutje gjatë dëshmisë i njëjti tha se pas 3-4 minutave kishte ardhur Policia.
Për vrasjen e V.C., Amrllahu tha se e kishte kuptuar nga mediat dhe për faktin se të njëjtin e ka vrarë Dibran Hoxha.
“Pasi që e njoh Dibranin që nuk e bën hala nuk ju besoj këtyre thashethemeve” – tha Enver Amrllahu.
“Si është e mundur që keni pasur grimca të barutit në rrobat e tuaj” – e pyeti prokurorja Merita Bina – Rugova. “Nuk e di tha “ – tha dëshmitari Amrllahu.
Ndërsa i akuzuari Dibran Hoxha deklaroi se natën e Vitit të Ri kishte gjuajtur me armë në fshatin e tij dhe i kishte pasur rrobat e njëjta edhe të nesërmen që kishte ndodhur vrasja e viktimës V.C.
“Kur ka qenë Viti i Ri një ditë përpara unë kam gjuajtur me armë të gjata edhe armë të shkurta, edhe e din krejt fshati që kur u kanë Viti i Ri kam gjujtë me armë edhe e kam dhanë në deklaratë Policisë edhe ju kam thanë me ditën e parë edhe i kam thanë rune storien e Instagramit se është kanë 24 orësh që fshihet edhe ju kam thanë këqyrne se i kam pasë qato tesha një ditë përpara për festë” – tha Hoxha.
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024 secili prej të akuzuarve ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili, anëtarë.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina-Rugova. /Kallxo.com