Gjykimi i liderëve të UÇK-së, mbrojtja paraqet shqetësime lidhur me zhvillimin e seancave të mbyllura

18 maj 2023 | 11:17

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykimin në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja ka shfaqur disa shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.

Këtë shqetësim për palët e ka paraqitur mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.

Ai ka thënë se për shkak të urdhrit të trupit gjykues të seancës së 17 majit për zhvillimin e procedurave për seanca private apo mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi, duke thënë se të njëjtit kanë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.

“Dua të tërheq vëmendjen që jo vetëm e kundërshtojmë, po kemi shqetësime praktike për ndjekjen e praktikës së ZPS-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, ZPS-ja ka mundësinë të dalin dhe të futen në seancë private sa herë që e shohin të nevojshme dhe për ta si mbrojtje paraqet vështirësi që të kalojnë sa në një pyetje në pyetjen tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më tutje, avokati i Thaçit ka thënë se kjo vështirësi do vlerësohet edhe për shkak se edhe dy dëshmitarët e tjerë me radhë kanë masa të mëdha mbrojtëse.

Sipas tij, kjo shkakton vështirësi që publiku të kuptojë se çfarë pyesin pasi sipas Kehoe, procedura është shumë më e vështirë nga ana e tyre sesa nga ana e prokurorisë.

Lidhur me këtë, është deklaruar edhe ZPS-ja duke thënë se shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ata, por nga frikësimi i dëshmitarëve dhe se kjo nuk është diçka që mund të parandalohet nga ta.

Sipas ZPS-së, prokuroria ka rast që ka kërkuar që seanca të bëhet publike, por është kundërshtuar nga mbrojtja.

Ndaj kësaj, ka reaguar avokati i Thaçit duke thënë se ata nuk pajtohen me këtë qëndrim, pasi të njëjtit këtë praktikë e kundërshtojnë me vit. Në këtë kontekst, ai ka thënë se “‘ne duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur”.

Por, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, ka thënë se urdhri nuk është bërë për të fajësuar dikë, por nëse kjo nuk arrihet nga palët, do të bëjnë vetë si trupi gjykues.

Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të pestë (me kodin 3165) në këtë çështje.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në moshën 25-vjeçare Charles Leclerc është në sezonin e tij…