Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së vazhdon me 2 prill
Më 2 prill do të vazhdojnë seancat gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës.
Kjo është bërë e ditur përmes kalendarit të publikuar në DhSK.
Për tri ditë radhazi në Speciale ka dëshmuar ish shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes.
Byrnes, në fillim të seancës është pyetur lidhur me bisedat që kishte pasur vitin e kaluar me një nga prokurorët e Speciales.
Emmerson, i parashtroi pyetje atij nëse ishte deklaruar lidhur me aktivitetet e jashtme të zbulimit të inteligjencës së Kadri Veselit, kur ishte pyetur nga Specialja, por ai tha se nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.
Ai po ashtu ka thënë se s’ka parë kurrë prova që që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i përfshirë në ndonjë krim.
“Më lejoni të jem i qartë, ne kurrë nuk kemi parë prova që Shtabi i Përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Ramë Buja, Xhavit Haliti e të tjerë kanë qenë të përfshirë apo kanë urdhëruar rrëmbime apo ndonjë krim që ka ndodhur në terren”, ka thënë ai.
Byrnes, u pyet edhe për numrin e zonave dhe përpjekjeve për të ulur numrin e këtyre zonave.
Ndërsa, është pyetur edhe për Halil Bicaj dhe marrëveshjen që ishte nënshkruar me disa pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri, por që dëshmitari tha se “nuk e mban në mend Halil Bicajn”.
Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të angazhuar për ta bërë armëpushimin.
“Marsi konsiderohej si fillimi i sezones së luftimeve nëse do të shprehesha kështu. Këtë e kemi dëgjuar po ashtu edhe në kontaktet tona në Trojkë dhe në përgjithësi nga UÇK-ja dhe zyrtarët e tjerë që ishim takuar. Në të njëjtën kohë, ne ishim të informuar dhe ishim të ndërgjegjshëm”, ka thënë ai.
“Në veçanti udhëheqësit e shtabit të përgjithshëm dhe Trojka ishin absolutisht të angazhuar që ta bënin armëpushimin që të funksiononte, megjithatë nga ana tjetër ne ishim të shqetësuar për faktin se serbët do të nisnin tjetër sulm në pranverë. Ata mbështesnin përpjekjet për t’u përgatitur për këtë me trupat e tyre”.
Byrnes, shtoi se edhe ndërkombëtarët ishin njoftuar për një sulm të mundshëm në Kosovë.
“Ndërkombëtarët të tillë si MVK-ja e dinte që të dyja palët po përgatitshin për luftime të mundshme, për shpërthime të mundshme”, ka thënë ai.
Gjithashtu ai është pyetur edhe për arrestimin e dy gazetarëve të Tanjug-ut dhe pjesëmarrjen e Sokol Bashotës kur ata ishin liruar.
Nga prokurori Metro, ai u pyet edhe për arrestimin e dy liderëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).