Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së drejt fundit, ZPS-ja i përfundon dëshmitarët në prill
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është duke shkuar drejt fundit.
Prokuroria e Specializuar e Hagës pritet të përfundojë me dëshmitarët e saj në muajin prill, ashtu siç ishte planifikuar.
“Sipas asaj që na e merr mendja, ne mendojmë që do ta arrijmë atë afat që na është caktuar si datë për përfundimin e paraqitjes së provave. Ka disa dëshmitarë për të cilët nuk është bërë formalisht njoftim përmes një parashtrimi zyrtar mirëpo bëhet fjalë për një numër të kufizuar dëshmitaresh dhe në fund duam të themi që e çmojmë kushtin që ta përfundojmë paraqitjen e provave deri me datë 15 prill dhe do të bëjmë çmos dhe jemi të bindur që ta arrijmë këtë datë”, ka thënë prokurori Matt Haling.
Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ZPS-ja ka njoftuar të premten se aktualisht parashikon të thërrasë 11 dëshmitarë në gjykatë në periudhën shkurt-prill të vitit 2025.
Disa dëshmitarë në këtë rast, do t’i thërrasë edhe avokati i viktimave. Ai ka bërë të ditur se do të ftohen 4 apo 5 dëshmitarë.
“Ne mendojmë se do të thërrasim tre deri në katër dëshmitarë që do të vijnë këtu. Njëri prej tyre do të jetë ekspert… mendojmë që provat tona do mund t’i paraqesim brenda një jave dhe ndoshta mund të kalojmë edhe në javën e dytë por nuk ka mundësi që të jenë dy javë të plota. Por nuk jemi në gjendje që ta parashikojmë këtë pasi që nuk di se sa do të zgjasë edhe seanca e kundërpyetjes”, ka thënë avokati Laws.
Ndërsa avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka bërë me dije se i duhen deri në katër javë në mënyrë që ta përgatisë mocionin për rrëzimin e akuzave.
“Jam konsultuar me koleget e mi të ekipeve të mbrojtjes, kemi nevojë për katër jave për të përgatitur mocionet tona të rregullës 130”, ka thënë avokati Luka Misetiq.
Deri më tash 115 dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre në rastin e krerëve të UÇK-së.
Mbrojtja e Thaçit kishte bërë me dije se synon t’i ftojë edhe disa dëshmitarë. Ata janë kryesisht diplomatë ose ish-diplomatë të njohur që do të flasin për raportet me Thaçin.
Në anën tjetër, Thaçi ishte deklaruar i pafajshëm edhe për aktakuzën e dytë për pengim të drejtësisë.
Thaçi nuk kishte pranuar të deklarohet në dy seancat që u mbajtën në Hagë.
Më tutje, Thaçi ka mbajtur një fjalim në këtë seancë.
“Me siguri e dine se unë tash e katër vite përballem me një proces gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretues të historisë politike dhe kombëtare për lirin dhe shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Është një proces voluminoz. E di që shoqëria kosovare, familja ime presin me padurim fundin e këtij procesi, presin drejtësi për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt paparitmas para dy-tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkojë edhe sot nga të gjithë kudo që jemi ulur, në secilën anë apo në çfarëdo uniforme që jemi në këtë sallë, të respektohet Kushtetua e Kosovës sepse Dhomat e Specializuar janë produkt i Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.