Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së, përfundon dëshminë zyrtari i Human Rights Watch

11 shtator 2023 | 14:44

Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së, përfundon dëshminë zyrtari i Human Rights Watch

Zyrtari   i organizatës Human Rights Watch (HRW), Frederick Abrahams, ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Ai, në ditën e fundit të dëshmisë së tij, të hënën, i është përgjigjur pyetjeve vijuese të mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, mbi bazën e pyetjeve të trupit gjykues

Dëshmitarin e kanë marrë në pyetje mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe dhe mbrojtësi i Veselit, avokati Ben Emmerson.

Lidhur me ndalimin e dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja, avokati Kehoe e  ka pyetur dëshmitarin nëse do e dinin se njëri nga ta ka qenë i përfshirë në krime lufte në Kroaci.

Në këtë kontekst, ai e ka pyetur Abrahamsin se “a do mendonin se do ishte pjesëmarrës edhe në luftën në Kosovë”.

Ndërsa Abrahamsi ka thënë se kritika e tyre për këtë çështje ishte e fokusuar nëse ka pasur proces të rregullt ligjor apo jo.

Po ashtu, lidhur me takimin me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn, Abrahams edhe njëherë ka konfirmuar se Thaçi ishte prezantuar si shef i drejtorisë politike dhe se sipas tij, dukej se ishte përgjegjës më shumë nga ana politike se ushtarake.

Më tutje, dëshmitarit i është paraqitur një artikull ku thuhej se gjykimi ndaj gazetarëve është kryer më 30 shtator 1998, kurse në bazë edhe të njoftimit të HRW-së, këta persona janë deklaruar se kanë humbur më 18 tetor.

Për këtë, avokati  Kehoe ka thënë se këtu flitet për një gjykatë ushtarake derisa Thaçi kishte folur se po përpiqeshin t’i krijonin strukturat civile dhe se Abrahamsi ka thënë se padyshim se Thaçi ka folur për vështirësitë për krijimin e mekanizmave të duhur.

Dëshmitari është pajtuar se Thaçi po përpiqej të bënte të pamundur për të përfaqësuar sa më mirë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para komunitetit ndërkombëtar.

Po ashtu, Abrahamsi ka thënë se nuk ka njohuri nëse letrën e 2 dhjetorit 1998, të dërguar pas takimit ta ketë marrë Thaçi.

Kurse për takimin e gushtit 1999, ai ka thënë se ndonëse takimi me Thaçin ishte bërë në gjuhën shqipe, beson se ai ka kuptuar thelbin dhe mesazhet e përgjigjeve të bashkëfolësit.

Kurse lidhur me rolin e Adem Demaçit, avokati Kehoe ka lexuar një përmbledhje të Prokurorisë për dëshminë e dëshmitarit Rrustem Mustafa – komandat Remi kur lidhur me ndalimin e një polici serb, ishte vendosur të lirohej pasi Demaçi kishte ndërhyrë dhe se fjala e tij kishte shumë peshë atë kohë.

Me këtë rast, dëshmitari ka thënë se kjo është në përputhje me atë që ka thënë ai sepse sipas tij, Demaçi kishte autoritet moral dhe respektohej fjala e tij, por se Mustafa ka marrë parasysh kërkesën e tij dhe vetë ka vendosur ta lirojë.

Kështu, duke qenë se Demaçi kishte thënë në një konferencë se nuk mund të vendos për çështjen e lirimit të të ndaluarve dhe Thaçi kishte thënë se nuk është e përshtatshme të ndërhynte në autoritete gjyqësore për këtë çështje, avokati Kehoe ka tërhequr një paralele krahasimi, por se Abrahamsi ka thënë se “sa i takon Demaçit nuk kishte kompetencë për të ndërhyrë”.

Kurse për Thaçin, Abrahams ka thënë se ai kishte dhënë arsye se s’mund të ndërhynte për të cenuar pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe se lirimi i parakohshëm do ndikonte në reputacionin e UÇK-së.

Por, në vazhdim të kësaj lidhur me rolin e Demaçit, avokati Kehoe ka lexuar një pjesë nga marrëveshja për unifikim të UÇK-së dhe FARK-ut, ku thuhet se kjo marrëveshje do hynte në fuqi në takim pasues ku do ishte i pranishëm Adem Demaçi.

Sërish Abrahamsi ka thënë se nuk mendon se është jo në pëlqim me përshkrimin e rolit të tij, pasi sipas dëshmitarit ai ka qenë i rëndësishëm dhe se nuk kishte thënë se nuk ka marrë pjesë në takime.

Më tutje, dëshmitari Abrahams ka thënë se Thaçi kishte dalë me deklarata publike duke dënuar dhunën dhe duke promovuar shoqëri shumë etike.

Në anën tjetër, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ia ka lexuar dëshmitarit një përkufizim të operacioneve psikologjike, me të cilin dëshmitari është pajtuar.

Duke u ndërlidhur me këtë, Emmerson ka pyetur Abrahamsin nëse i kishin kushtuar rëndësi komunikatave të UÇK-së. Duke u përgjigjur në këtë pyetje, Abrahamsi ka thënë se komunikatat kanë qenë të rëndësishme pasi janë nxjerr nga burimi zyrtar, por sipas tij kjo është e ndryshme nga saktësia.

Më pas ai është pajtuar se mund të manipulohet lexuesi lidhur me forcat apo kjo mund të bëhet për të ndikuar tek armiku.

“UÇK-ja përpiqej me paraqit veten si forcë e ligjshme ushtarake që luftonte për pavarësinë e Kosovës, për këtë s’ka asnjë dyshim. Janë përpjekur me paraqit veten si forcë serioze ushtarake”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se Thaçi dhe Limaj kishin thënë se ka pasur drejtori ligjore, duke shtuar se “nëse ka ekzistuar një drejtori juridike e më pas del se s’ka ekzistuar, ka një numër shpjegues që njëri do ishte se është operacion psikologjik”.

Ai ka thënë se kjo mund të ishte pjesë e përkufizimit, informacion i përzgjedhur që synonte të krijonte përshtypjen se UÇK-ja ishte më e organizuar se që ishte.

Por, ai ka thënë se me kalimin e kohës ka parë më shumë uniformitet dhe koherencë dhe një organizim më të mirë të tyre.

Në vazhdim, Abrahamsi është përgjigjur me “s’më kujtohet” kur i është thënë se nuk kanë pasur asnjë dëshmi të pavarur që të vërtetonte ekzistonte e një drejtori juridike në shtator – tetor-nëntor të ‘98-s.

Sa i përket çështjes së bashkëpunëtorëve, dëshmitari ka thënë se fillimisht ka pasur faj shteti serb për politika diskriminuese kundër popullatës shqiptare, por ka theksuar se ekzistonte pikëpamja se UÇK-ja me deklarata të tyre etiketonin persona si tradhtarë, jobesnikë, kolaboracionistë apo bashkëpunëtorë dhe sipas analizës së tij, kjo ka nxitur dhunën dhe i ka hapur rrugë dhunës.

Pas kësaj ka filluar dëshminë dëshmitari i 23-të më radhë i ZPS-së. Ai do ta jap dëshminë në seancë private. Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.  Katërshja e UÇK-së është deklaruar e pafajshme në raport me akuzat me të cilat është ngarkuar nga ZPS-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk reziston më shumë se 24 orë pas humbjes së…