Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së pritet të fillojë në muajin mars
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë me dije se është e gatshme që gjykimi ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti.
Gjatë konferencës së fundit përgatitore, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka thënë se është gati të fillojë gjykimin, pavarësisht volumit të punës, procedurave dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen.
Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars e kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson, ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars, megjithatë ai tha se “kanë para vetes një periudhë jashtëzakonisht intensive pune” deri në fillimin e gjykimit.
Avokatët mbrojtës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pajtuar të mos lexohet aktakuza në fjalën hyrëse në fillim të gjykimit. Mirëpo, ZPS-ja ka thënë se do të mbajë një deklaratë hyrëse.
Edhe avokatët mbrojtës kanë thënë se do të bëjnë një deklaratë hyrëse, pas deklaratës së ZPS-së në fillim të gjykimit.
Kryetari i trupit gjykues Charles Smith, ka thënë se qëndrimet e tij me volumin e punës në këtë rast duke thënë se “pret që ky gjykim të jetë më i gjatë se sa mendohet”.
Smith ka thënë se gjykimi mund të tejkalojë periudhën prej pesë vitesh sa është paraparë të zgjasë procesi gjyqësor në këtë rast.
Megjithatë, ai ka thënë se gjykata rezervon të drejtën që t’i kërkojë prokurorisë që të zvogëlojë numrin e dëshmitarëve apo të shmangë përsëritjen e tyre në proces.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të trupit gjykues, ZPS-ja ka konfirmuar se janë mbi 300 dëshmitarë, por se jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.
ZPS-ja ka thënë se në disa raste, do të mbështetet në dëshmitë e tyre.