Gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së pritet të vazhdojë më 4 dhjetor

16 nëntor 2023 | 16:27

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës, ndërsa ka bërë me dije se seanca e radhës në çështjen gjyqësore të liderëve të UÇK-së është planifikuar të mbahet më 4 dhjetor 2023.

Zëdhënësi Doyle ka njoftuar se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjatë kësaj jave janë dëgjuar tre dëshmitarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari i 35-të i thirrur nga Prokuroria, i cili pretendohet se ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga anëtarë të UÇK-së, dha dëshmi të enjten e kaluar dhe këtë të hënë, më 9 dhe 13 nëntor. Të hënën, 13 nëntor, z. Sadik Halitjaha, dëshmitari i 36-të, filloi dhënien e dëshmisë. Sipas përmbledhjes së lexuar në sallën e gjyqit nga Prokuroria, ky dëshmitar ishte epror në UÇK, i cili kishte pozita të ndryshme gjatë periudhës përkatëse. Këtë javë, të martën dhe të mërkurën, z. Shefqet Kabashi, dëshmitari i 37-të i thirrur nga prokuroria në këtë çështje gjyqësore dha dëshmi nëpërmjet video-lidhjes. Pas përfundimit të dëshmisë së z. Kabashi, z. Halitjaha, dëshmitari i 36-të, vazhdoi dje dhe sot dhënien e dëshmisë që e kishte filluar më parë”, ka thënë zëdhënësi Doyle.

Lidhur me këtë proces, Doyle ka thënë se në të njëjtën çështje gjyqësore, më 15 nëntor, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është bërë riklasifikimi…