Gjykimi në Hagë dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit
Shkruan: Mustafë Xhemaili
Dy ngjarje të mëdha historike me ndikim, po zhvillohen kundër Republikës së Kosovës, të nxitura dhe të sponzorizuara nga Serbia dhe Rusia.
Ngjarja, drama e Kosovës që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës, ku drejtësia e padrejtë po përpiqet të dënojë UÇK-në dhe udhëheqës të saj, Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Pjetër Shalën (ndërsa e dënoi pa fakte konkrete juridike dhe materiale, me 26 vjet burg komandant Calin, si dhe dënoi politikisht Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin). Ndërsa, aktualisht, po e ndjekë që ta gjykojë edhe Dritan Goxhajn, njërin ndër ushtarët e famshëm të UÇK-së.
Tjetra ngjarje është ajo e 24 shtatorit – përballja heroike e Policisë së Kosovës me sulmin ushtarak të Serbisë dhe mposhtja e terrosistëve. Në këtë rast u vra në përleshje luftarake oficeri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tash Hero i Kosovës.
Sulmi i Serbisë mbi territorin e vendit tonë, u bë me qëllim okupimi, fillimisht të veriut të vendit, duke dashur të hapë një front lufte rusoserbe kundër shtetit të Kosovës në zemër të Gadishullit Ilirik.
Për ngjarjen e parë, procesin e gjykimit në Hagë, Qeveria jonë dhe Kryeministri Kurti, nuk janë të interesuar të bëjnë asgjë! Fatkeqësisht! Ata nuk janë të bindur, ose nuk duan të binden dhe ta kuptojnë se Gjykimi në Hagë është akt agresioni nga ana e Serbisë dhe e Rusisë, për ta nxjerrë UÇK-në, nga bazamenti i lirisë dhe i Pavarësisë së Kosovës, për ta çvlerësuar atë dhe vlerat e saj. Kështu, po të ndodhnin dhe të bëheshin realitet dënimet në Hagë, faqe bote, Serbia do ta krijojë realitetin e ri politik dhe diplomatik për Kosovën si krahinë të saj, ashtu siç e ka në Preambulën e Kushtetutës së saj.
Ngjarja e dytë, ka ndryshuar tërësisht gjendjen politike dhe diplomatike, e cila tash për tash është në favorin e shtetit të Kosovës. Qeveria jonë me Kryeministrin Kurti, nëse do, dhe nëse do të di e të kuptoj, duhet patjetër të bashkëpunojë drejtpërdrejtë, pa asnjë ekuivoki, me SHBA-të, që ta ANULOJ Marrëveshjen e Ohrit, atë marrëveshje e cila nuk e parasheh NJOHJEN e shtetit të Kosovës nga Serbia! Serbia në Ohër, me këtë marrëveshje, është privilegjuar: dialogut Kosovë-Serbi, i është hequr thelbi, për zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme mes dy shteteve. Rrjedhimisht, Serbia në bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, më 24 shtator bëri provën e parë për ta hapur një front të ri lufte në Evropë, e cila do ta lehtësonte luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe do të vazhdonte t’i përçante edhe më shumë faktorët vendimmarrës të Bashkimit Evropian.
Për Gjykimin në Hagë dhe kundër saj, veçanërisht pas dështimit të thelbit të akuzës së saj: rënies të pretendimeve të Dik Martit për trafikim organesh nga UÇK, deri tash është një Rezolutë që ka nxjerrë Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik 2022 dhe e dorëzuar në Parlamentin Evropian, e cila ka mbetur prapa në zhvillimet e saj. Në Rezolutën “Mbi besueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë dhe në Shqipëri”, veç tjerash thuhet: “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.”
Me 28 shtator në Parlamentin zviceran është dorëzuar një Rezolutë nga drejtori Sali BISLIMI në emër të Organizatës që ai drejton “Zëri Perëndimor i Kosovës” (THE WESTERN VOICE OF KOSOVO), që vepron në Zvicër dhe Kosovë. Kjo Rezolutë është nënshkruar nga 30 deputetë zviceranë të të gjithë spektrit politik në Parlamenti e Konfederatës së Zvicrës dhe pritet që brenda këtij viti, të ketë një debat parlamentar për çështjen e Gjykimit në Hagë që po bëhet ndaj Presidentit Thaçi dhe të tjerëve.
Autori është shkrimtar, poet e ish diplomat në Zvicër