Gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Konjufca mbrohet në heshtje
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e së mërkurës në gjykimin ky po akuzohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
“Zonja gjyqtare, deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi, asaj i përmbahem. Kështu që po e zgjedhi këtë opsionin e mbrojtjes në heshtje të cilin ma mundëson edhe ligji”, ka thënë Konjufca.
Gjatë kësaj seance, janë elaboruar provat materiale të propozuara në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë seancë është aprovuar propozimi i prokurorit Besart Mustafa që si provë të administrohet procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016.
Më pas, seanca është ndërprerë me kërkesë të mbrojtëses së Konjufcës, avokates Arbnora Zeqiri, në mënyrë që të ketë mundësi të përgatitet për fjalën përfundimtare.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca është duke u akuzuar se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza ka thënë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca është duke u akuzuar se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca është duke u akuzuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.