Gjykimi për korrupsion, eksperti konstaton se janë bërë pagesa më tepër në shumën afër 15 mijë euro

04 nëntor 2021 | 21:30

Eksperti financiar Riza Blakaj tha se është konstatuar se janë bërë pagesa më tepër për shumën 14 mijë e 818 euro e 98 centë.

Këtë deklarim, eksperti Blakaj e bëri në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në rastin ku po akuzohen Salih Kqiku, Valon Shefkiu, Izet Kurteshi, Ganimete Kastrati, Muhadin Zuka, Fatlum Pireva dhe Suad Pireva për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim”.

Të pranishëm në seancë kanë qenë mbrojtësi i të akuzuarit Salih Kqiku, avokati Halit Azemi, i akuzuari Valon Shefkiu me avokat Ymer Huruglica, i akuzuari Izet Kurteshi me avokat Kushtrim Isufi, e akuzuara Ganimete Kastrati me avokat Shefqet Rexha, i akuzuari Muhadin Zuka me avokat Sevdail Robelli, i akuzuari Fatlum Pireva me avokat Sevdail Zejnullahu dhe i akuzuari Suad Pireva, avokati i të cilit nuk ka prezantuar në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekspertizën financiare e kam punuar ne bazë të aktvendimit për angazhimin e ekspertit, sa i përket tenderit me titullin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Perlepnic deri tek kompleksi Vali Ranch”, tha eksperti financiar Riza Blakaj.

Tutje, ka shtuar se me këtë ekspertizë është konstatuar se janë bërë pagesa më tepër për shumën 14 mijë e 818 euro e 98 centë, ndërkaq dëmi i tërësishëm është konstatuat në shumën 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

“Kjo shumë përbëhet prej diferencës së vlerës së asfaltit të shtruar më pak në shumë prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë, ndërsa diferanca për punën e fakturuar më tepër është në shumë 14 mijë e 818 euro e 98 centë”, ka thënë ai.

Tutje eksperti Blakaj ka thënë se vlera e kontratës ka qenë 245 mijë e 825 euro e 89 centë, ndërsa vlera e aneks-kontratës ka qenë në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.

Sipas tij, pas inkorporimit të kësaj shume me vlerën e kontratës, rrjedh se të dyja bashkë rezultojnë me shumë prej 268 mijë e 368 euro e 43 centë.

Këtu, tha se është konstatuar një diferencë e paguar më pak kundër kësaj shume 578 euro e 1 cent.

Tutje, eksperti tha se në raportin e ekspertizës nuk ka konstatuar vonesa në realizimin e punimeve.

Prokurori Uka ka pyetur ekspertin Blakaj se a ka pësuar dëm dikush dhe a ka përfituar, eksperti ka deklaruar që në bazë të konstatimit, mund të konsiderohet si dëm të shkaktuar autoritetit kontraktues prej 3 mijë e 496 euro e 33 centë dhe se ky konstatim ka dalë mbi bazën e të dhënave nga ekspertiza e ekspertit te ndërtimtarisë, sa i përket trashësisë së asfaltit.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Salih Kqiku, avokatit Halit Azemi se a është kaluar aneks kontrata 10% e kontratës, eksperti tha se nuk është tejkaluar.

“Punëkryerësi ka të drejtë të bëjë kërkesa për punë shtesë nëse ia dikton terreni ku ka për t’i kryer punimet, të gjitha këto duhet t’i aprovojë zyra e prokurimit”, shtoi ai.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Arsim Ibrahimi, inspektor i komunikacionit në Drejtorinë Komunale në Gjilan.

Dëshmitari Ibrahimi ka deklaruar që në periudhën 2015-2020 ka qenë anëtar i komisionit për pranimin teknik të punimeve në asfaltimin e rrugëve, respektivisht në rrugën “Riza Zabeli i Sahit Agës”.

Dëshmitari Arsim Ibrahimi tutje ka thënë se në bazë të dokumentacioneve dhe shikimit në terren, kanë konstatuar se ka qenë gjithçka në rregull.

Në pyetjen e prokurorit Agron Uka se a ka pasur ndonjë lëshim gjatë shikimit vizual të vendit, ai ka deklaruar që nuk i kujtohet që ka vërejtur diçka.

Mbrojtësi i të akuzuarit Salih Kqiku, avokati Halit Azemi e ka pyetur dëshmitarin se a mund ta sqarojë faktin se trashësia e asfaltit ka qenë e paraparë 11 cm dhe është realizuar 9.7 cm.

Për këtë, dëshmitari ka thënë se sipas atestit nuk ka qenë më i hollë, ngase në të gjithë konstatimin dhe pranimin teknik e kanë bërë sipas dokumentacioneve të pranuara nga zyra e prokurimit publik.

“Unë qëndroj pranë pranimit teknik të bërë në atë kohë, me rastin e pranimit teknik kemi parë që edhe dokumentacioni i organit mbikqyrës është përputhur me dokumentacionin tjetër nga zyra e prokurimit”, ka deklaruar Ibrahimi.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi se a e kanë bërë matjen e trashësisë së asfaltit që të vërtetohet gjendja faktike në terren, dëshmitari ka thënë që në rastin e daljes në vendin e ngjarjes dhe pranimit teknik të punimeve nuk kanë bërë matje as sa i përket trashësisë së asfaltit.

Kjo ngase sipas tij, nuk ka qenë praktikë ndonjëherë në komunë, që komisioni të bëjë matjen e trashësisë së asfaltit për pranim teknik.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit Bashkim Bunjaku, ekonomist.

Dëshmitari Bunjaku ka thënë që ka qenë anëtar i komisionit për pranim teknik në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për asfaltimin e punimeve, punime që i ka kryer “Zuka Comerc”.

“Ne si komision kemi dalë në vendin e ngjarjes, kemi bërë shikimin vizual dhe nëse vërejmë ndonjë defekt apo mangësi e evidentojmë të njëjtën”, ka thënë ai, duke shtuar se aty nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi apo shmangie.

Ai tha se në bazë të dokumenteve që kishin në dispozicion me rastin e pranimit teknik të punimeve, nuk është dëmtuar komuna.

Në seancë u dëgjua edhe eksperti i gjeodezisë Fahri Shaqiri, i cili tha se ka bërë një ekspertizë gjeodezike dhe se mbetet pranë saj.

“Detyra ime ka qenë të bëjë matjen e rrugëve të kryera e jo të krahasoj kontratat për asfaltimin e rrugëve”, tha ai.

Eksperti Shaqiri gjithashtu tha se konstatimin e ekspertizës e kanë bërë pasi e kanë matur gjithë rrugën, duke përfshirë gjërësinë dhe gjatësinë e saj.

Në fund ka shtuar se mes rrugës dhe kanaleve për ujërat atmosferike, anash janë edhe bankinat të cilat sillen rreth 60-80 cm.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi ka njoftuar palët se seanca e radhës është caktuar më 7 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar si Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch” me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 centë.

Aktakuza thotë se në projekt ka qenë paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.

Tutje, thuhet se të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimit në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar për mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që për veprimet e tyre i është shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në shumën prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks kontratë, me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në paramasa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 centë dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 centë, gjithsej në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 centë.

Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Kqiku akuzohet se në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati menaxherë të projektit, në atë mënyrë që anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk ua kanë dhënë, ashtu që anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryejnë punën e mbikëqyrjes profesionale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, është bërë faturimi i punëve të kryera në shumë prej 231 mijë e 94 euro e 96 centë, ku është përfshirë edhe shuma e aneks kontratës 20 mijë e 99 euro e 36 centë, dhe nga kjo konsiderohet dëm i shkaktuar komunës së Gjilanit në vlerë prej 3 mijë e 496 euro e 33 centë.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët joprofesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të komunës është 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

I pandehuri Muhadin Zuka, akuzohet se si person fizik përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerce”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës, duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete, në dëm të komunës së Gjilanit në shumë prej 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të komunës së Gjilanit është në shumë prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Ndërsa, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me çka, kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër me 5 nëntor bëhet një vit që kur ish-presidenti…