Gjykimi për terrorizëm, dëshmitarja thotë se paratë e gjetura në çizme janë të saj dhe s’kanë të bëjnë me të birin

17 shtator 2024 | 22:43

Dëshmitarja Amella Skenderi gjatë dhënies së dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj Nehrudin Skenderi, i cili akuzohet për terrorizëm, tha se paratë e gjetura në banesën e saj, në vende ‘jo të zakonshme’, janë të saj dhe të bashkëshortit.

Ajo deklaroi se këto para i kishte fshehur në takat e çizmeve, ku sipas saj 19 mijë franga i kishte në njërën, e 20 mijë euro në çizmen tjetër.

“Dëshiroj të theksoj së të gjitha ato çka janë gjetur, shumën prej 39 mijë euro dhe këto tjera, ka 5 dhe 3 mijë, dhe të tjera, kanë qenë paret e mia personale dhe Nehrudini (i biri) nuk ka pas asnjë lidhje me to.” tha dëshmitarja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, bëri të ditur se Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në rigjykim sa i përket çështjes së konfiskimit, vetëm për të akuzuarin Skenderi, pasi që sipas pretendimeve të Prokurorisë këto mjete financiare janë përdorur për kryerjen e veprës penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” nga neni 131 paragrafi 1 i KPRK-së.

Në pyetjen e prokurorit special, Bekim Kodraliu, se a ka provë që shumën prej 39 mijë euro e ka dhuratë nga babai, dëshmitarja theksoi se për një dhuratë të tillë nuk është e nevojshme që të posedojë dokument të shkruar.

“Për dhuratë nuk kam nevojë për dokument. Ajo është dhuratë që sipas islamit e pranojmë, vllau ka fituar shtëpinë dhe një pjesë të parave, ndërsa unë paratë në fjalë”, tha ajo.

Njëjtë është shprehur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Skenderi, avokati Tomë Gashi, i cili para trupit gjykues mbështeti fjalën e dëshmitares së mbrojtjes duke vënë në theks të veçantë faktin se është çështje e privatësisë së tyre se ku ata i kanë mbajtur parat.

Ajo tutje theksoi se punon si profesoreshë në Universitetin e Kuvajtit, ndërkaq bashkëshorti i saj është imam në një xhami atje. Sipas saj përmes rrogave kanë krijuar pasurinë e cila është sekuestruar.

Më tej, prokurori Kodraliu, i propozoi gjykatës që shuma e sekuestruar në shtëpinë e të akuzuarit të konfiskohet nga gjykata ngase për të njëjtat nuk dihet origjina e tyre dhe sipas tij, një pjesë e tyre janë përdorur përdorur nga i akuzuari i Skenderi për kryerjen e veprës penale siç është përshkruar edhe në dispozitiv të aktakuzës.

Tutje, në deklaratën e saj, dëshmitarja u shpreh që përpos gjërave të sekuestruara, të njëjtës i mungojnë edhe gjëra të tjera të cilat nuk kanë qenë objekt i sekuestrimit, mirëpo për to siç shprehet ajo nuk dëshiron të flasë e as t’ia vë fajin policisë.

Ajo shtoi, se nuk ka frikë për vete, por ka frikë për sigurinë e djalit të saj.

Në fund ajo deklaroi se i vie keq për situatën që ndodhet, dhe se nuk dëshiron që djali i saj, të ndërlidhet me këto para.

“Unë si person fetar nuk guxoj të gënjej dhe këto janë rregullat e mia, dhe ju si gjykatë keni rregullat tuaja, vetem dua të them se nuk guxoj të genjej jo se kam frikë prej jush, por prej Zotit, çdo gjë është në dorën e juaj dhe vendosni si të dëshironi. Unë kam deklaruar si një qytetare e Kosovës që e respekton ligjin dhe në asnjëherë nuk kemi pas problem në Kuvajt qoftë edhe për kundërvajtje. Mua më vjen keq krejt kjo çka ka ndodhë dhe dëshiroj që mos ta ndërlidhni djalin time me këto para”, përfundoi dëshmitarja.

Ndryshe, në këtë rast përveç Skenderit të akuzuar për terrorizëm kanë qenë edhe Ardijan Gjurajni, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa, të cilët më 30 janar 2024 nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë të gjithë së bashku me 30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi të cilët akuzohen se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Skenderi në dispozitivin e katër të akuzës akuzohej se më 1 tetor 2021, në restorantin e Pompës së karburanteve “Shell V-Power”, në magjistralen Prizren-Suharekë, në mënyrë të drejtpërdrejt ia ka dorëzuar shumën prej 2 mijë euro të pandehurit Krasniqi në emër të blerjes së armeve të zjarrta siç janë 1 RPG raketahedhës, 8 predha RGP dhe 1 palë dylbi me qëllim që së bashku me të pandehurit Gjuraj, Syla e Bellaqa të kryejn akte terroriste në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjilani nuk e nisi në mënyrën më të mirë të…