Gjyqi i ndërgjegjes së lëkundur
Berat Armagedoni
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, krerët e kësaj ushtrie dhe partitë e krahut të luftës, veçanërisht Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, përpos nga mediat fizike dhe elektronike, po sulmohen vrazhdë edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Grupeve sociale dhe artistike, për t’i sulmuar këta dy, nuk po u mjaftojnë vetëm mediumet e informimit. Për sulm më të ashpër, po e përdorin Teatrin Kombëtar.
Po e zëmë se unë jam ministër i Kulturës, pra në vend të Kujtim Gashit. Po i ndërrojmë këto role me të sa për disa fjali, sa për të marrë një vendim, pra po e zëmë se Kujtim Gashi është në vend timin, dramaturg dhe kritik teatri dhe, ashtu sikurse unë, e ka parë shfaqjen “Sfinga e gjallë” shfaqur parmbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Çfarë do të duhej të bënte në këtë rast ministri i Kulturës pasi ka parë këtë shfaqje që e kam parë unë?!
Kujtim Gashi do të duhej ta shkarkonte atë që e ka emëruar: Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës ende pa zbardhur drita që nga shfaqja e dramës jo që nëpërmjet buxhetit të Ministrisë së Kulturës, pra nëpërmjet ministrit të Partisë Demokratike të Kosovës, po sulmohet PDK-ja, ish-kryetari i saj (Hashim Thaçi) dhe kryetari i saj (Kadri Veseli), por pse po lejohet që Teatri Kombëtar të bëhet teatër politik dhe problematik, që po lejohet të bëhet mjet propagandistik dhe po lejon të përzihet politika në art.
Një kësi atentati politik që në Teatër Kombëtar iu bë UÇK-së parmbrëmë, posaçërisht PDK-së, sidomos Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, të cilët ngarkohen për të gjitha vrasjet e pazbuluara para luftës dhe pas luftës, nesër do të mund t’u bëhet edhe udhëheqësve të partive të tjera sapo të shkruhet një dramë e të realizohet një shfaqje me motive politike dhe të gjendet një regjisor a regjisore që, për të thithur fonde të huaja dhe vendore, po edhe për shkak të vuajtjes për famë dhe lakmisë për para, mitet letrare i bënë politike dhe, domosdo, lëkund autoritetin e dramaturgut, i cili, po ashtu, për shtatë mijë euro që merr nga Teatri Kombëtar për tekstin “Sfinga e gjallë”, krahut të luftës ia kthen krahët, prijësit e luftës i quan vrasës, kriminelë dhe i del në mbrojtje Lidhjes Demokratike të Kosovës, atë që dikur e kundërshtonte rreptë për politikën e pafavorshme ndaj shqiptarëve, por që sot e konsideron viktimë, kurse Ibrahim Rugovën, prijës shpirtëror të shqiptarëve dhe idealist.
Këso larje hesapesh dhe këso inatesh mes partish dhe individësh Teatri Kombëtar nuk është themeluar që të lajë e të barazojë, ma merr mendja. Prandaj, duhet ndëshkim. Prandaj, dikush duhet ta hajë! I pari, kryetari i nëndegës së PDK-së në lagjen Arbëria në Prishtinë, Fisnik Ademi, njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, i cili, duke qenë aktivist në politikë, lejon që arti të përzihet me politikë, me skena krimi. Nëse ky dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues janë të interesuar ta sulmojnë UÇK-në, po dhe PDK-në sa më shumë dhe disa prej krerëve të UÇK-së, duhet të zgjedhin mediume të tjera, edhe metoda të tjera. Jo ta përdorin teatrin. Jo atë që quhet kombëtare dhe që ruhet për vlerë të kombit.
Nuk po ndiej dhembje për PDK-në në këtë rast. Absolutisht as për Hashim Thaçin, as për Kadri Veselin, as për Azem Sylën, as për Ramush Haradinajn, as për Fatmir Limajn, për asnjë individ. Po patët mundësi, rripni të gjallë, si kasapi cjapin. Po ndiej dhembje për teatrin dhe po u marr inat mësimeve të Brehtit për zhvillim të teatrit politik dhe epik, të cilat i kundërshtojnë ata regjisorë dhe dramaturgë që kujdesen për artin e mirëfilltë.
(Fragment nga një analizë e gjatë për revistën ‘Akademia’)