GJYQIN NUK KA KUSH TË IA BËJË GJYQIT!
Lulëzim Etemaj, ish i burgosur politik, i nxitur nga rrëfimet e kolegëve në TV “Dukagjin”, si dhe nga paraqitja e mbrëmshme e ish- udbashit Mehmet Loci, nëpërmjet vargjeve poetike, i ka përshkruar disa detaje të torturave të cilat i kanë vuajtur si të rinj, vetëm pse kanë kërkuar Republikë për Kosovën.
“Gjyqin nuk ka kush të i bëj gjyqit”, e titullon poezinë Etemaj, bazuar në gjendjen aktuale në Kosovë, pasi që nga përfundimi i pas luftës çlirimtare, pjesa dërmuese e gjyqtarëve (dhe jo vetëm) që i gjykuan të rinjtë për veprimtari atdhetare, vazhdojnë të ndajnë “drejtësi”.
Poezia e plotë:
GJYQIN NUK KA KUSH TË IA BËJË GJYQIT
Në fillim ishte:
Republikë, Kushtetutë,
Ja me hatër, ja me luftë!
Pastaj u mbushën plotë burgjet, burra e gra e djem e qika të Kosovës
Liria po priste te dera, s‘e kishte thënë kot Jusuf Gërvalla
Në mezokohë dajaku në dorë të udbashit shqiptar
I thyente eshtrat tona!
Njërës nga ato, që një javë para i kishte mbush të tetëmbëdhjetat
E nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës brohoriti: Rroftë Kosova Republikë!
Para se ta nxjerrnin natën buzë një përroi për pushkatim
Udbashët ia dogjën trupin e njomë me cigare
Se nuk po hiqte dorë prej lirisë e prej vetvetës!
Në televizion
në aktin e parafundit të lirisë
burra e gra
Tregojnë të skuqur, me përtesë e ndrojtje
Ndonjë nga eshtrat e tyre dhe plagët e shtatit
Në aktin pa numër, me të vetmin dëshmitarë- natën!
Ndërsa sot, përtej 40 vjet pas
Në emër të fjalës së lirë, radha e fjalës i vie edhe udbashit
Gjyqin nuk ka kush të ia bëjë gjyqit!
3 shtator 2024