Gjyqtar i FIFA-s dhe polic i Kosovës – dy profesione në një emër
Ndarja e drejtësisë dhe shërbimi ndaj vendit ka qenë prioritet i tij që nga fëmijëria. Me kohë, gjatë rrugëtimit të tij në jetë, ai ka arritur t’i “shijoj” këto dy synime të tij, anise ato dallojnë mesvete.
Është fjala për Granit Hysenin, gjyqtarin e FIFA-s dhe njëherit pjesëtarin e Policisë së Kosovës.
Granit Hyseni në një intervistë të gjatë për Demokracia.com ka rrëfyer shumëçka nga dy profesionet e tij të cilat i ka zgjedhur me shumë pasion e që vazhdon t’iu përkushtohet maksimalisht; Ndarjen e drejtësisë në një ndeshje futbollit si gjyqtar anësor dhe si polic i Republikës së Kosovës.
Si nisi gjithçka rreth këtyre dy profesioneve, sa është e vështirë t’i ushtrojë ato në të njëjtën kohë, viti 2022 për të dhe cilën nga profesionet do ta zgjidhte të parën, tregon gjatë intervistës Granit Hyseni.
Ndarja e drejtësisë – pasion i fëmijërisë
Hyseni e nis rrëfimin e tij duke treguar se profesionet që i ushtron tash e disa vite i ka ëndërruar që nga fëmijëria.
Ai theksoi se këto dy profesione duan edhe përkushtim të madh.
“Vërtetë në fëmijërinë time gjithmonë kam dashur të bëhem një person qe e ka profesion drejtesinë dhe mënyrën e drejt të të bërit e jetës. Kështu që edhe punën e Policisë dhe ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbërt e kam bërë si zgjedhje pasioni me vullnetin dhe dëshirën më të madhe.
Andaj këto dy profesione i kam targetuar nga vullneti im profesional, por vërtetë edhe përkushtimin ndaj tyre e kam jashtëzakonisht të veçantë nga njëra anë për t’i shërbyer qytetarëve me ndershmërin dhe respektin më të madh dhe nga ana tjetër ndarjen e drejtësisë në fushën e futbollit me virtytet më të larta profesionale e morale”, tha fillimisht Hyseni.
Granit Hyseni thotë se dy punët që bën të njëjtën kohë nuk janë të lehta, por pasioni që ka për to ia bën dukshëm më të lehtë.
Hyseni pati edhe një falënderim për Policinë e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Nuk është e lehtë aspak që në të njëjtën kohë të jetojë me dy profesione, pasi secila nga këto kërkon përgatitje dhe përkushtim maksimal. Por kur e bëni punën me vullnet dhe dëshirë gjithçka është e mundur.
Puna e Policisë kërkon nje seriozitet dhe perkushtim më të veçantë në shërbim të jetës dhe pronës së qytetarëve në çdo kohë 24 orë në ditë. Ndërsa, referimi është punë më disiplinore në aspektin e formës fizike, ndryshimit të rregullave të lojës së futbollit, por nga dëshira e madhe për dy profesionet besoni që nuk e ndjejë shumë herë lodhjen. E vlerësojë shumë edhe instutucionin e Policisë së Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës të cilat e kanë një konsiderat serioze e krenare ndaj meje si pjesëtar i tyre”, vazhdoi rrëfimin e tij Hyseni.
Vlerësimi për vitin 2022 dhe dedikimi për vajzën e tij
Viti 2022 për Hysenin padyshim se ishte ndër më të mirët e karrierës së tij si gjyqtar. Ai në fillim të vitit u shpërblye edhe me stemën e institucionit më të lart të futbollit botëror, FIFA-s.
Mes tjerash, Hyseni përmendi edhe disa nga të arriturat e tij në vitin që tanimë po e lëmë pas, të cilat ia ka dedikuar vajzës së tij.
“Realisht viti 2022 ishte një ndër vitet më të mira të karrierës sime që nga marrja e licencës së FIFA-s, e deri te gjykimi i ndeshjeve të ndryshme ndërkombëtare dhe për herë të parë në fazën e dytë të Ligës së Konferencës.
Ky vit ishte vërtetë shumë i mirë në aspektin ekipor të gjyqtarëve kosovarë e po ashtu edhe në aspektin individual duke gjykuar ndeshje të mëdha me emra të mëdhenjë të futbollit. Të gjitha këto suksese këtë vit për herë të parë ia kam dedikuar vajzës sime, Bunës, ku edhe ajo ka ardhur si dhuratë në këtë vit për ne. Një gjë shumë interesante këtë vit që ndoshta për mua që e kam vleresuar ka qenë delegimi në ndeshjen e të rinjëve 19 vjeçar qe e kemi gjykuar në mes të Victoria Plzenit dhe Barcelonës ku vërtetë kam parë lojtarë që ndoshta ne në një të ardhme të shkurtër do kemi aso lojtarë të mëdhenj botëror”, theksoi ai.
Cilin profesion do ta zgjidhte të parën?
“Vërtet kjo pyetje është e vështirë për të dhënë një përgjigjje korrekte. Asnjëherë nuk e kam menduar të ndahem nga njëra apo tjetra, sepse që të dy punët i kryej me vullnetin dhe dëshirën më të madhe. Ndoshta nganjëherë nuk shkon njëra pa tjetrën sepse shpesh herë puna policore më lehtëson punën në referim sepse lojtarët më respektojnë në një mënyrë të veçantë. Prandaj, nuk do të mund të zgjedhja vetëm një nga profesionet”, përfundoi, mes të qeshurave, në fund Hyseni.