Gjyqtarët dhe prokurorët kritikohen se po punojnë ngadalë
Rreth 21 mijë lëndë të papërfunduara janë grumbulluar në sirtarët e Dhomës së Posaçme, e cila për një vit nuk arriti të marrë vendime në lidhje me rastet në shqyrtim.
Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë vazhdojnë të thumbohen me kritika, qoftë nga diplomatët perëndimorë apo shoqëria civile, për shkak të, siç thuhet, punës së ngadalshme dhe zvarritjes së lëndëve. Me kritika ndaj punës së tyre shprehen edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Sa i përket pagesës, gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë, sipas të dhënave të shoqërisë civile, janë ndër më të paguarit, nëse krahasohen me kolegët e tyre nga vendet e rajonit. Paga e një gjyqtari në këtë gjykatë është nga 2 200 deri në 2 300 euro.
Por, ata nuk po arrijnë të kryejnë punët me të cilat janë të ngarkuar, deklarojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë që monitorojnë punën e mekanizmave të sistemit të drejtësisë.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se rezultatet e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përkojnë fare me pagat që ata marrin dhe statusin të cilin e gëzojnë në shoqërinë e Kosovës. Sipas tij, gjyqtarët nuk po arrijnë asnjëherë që t’iu përgjigjen kërkesave të shumta të qytetarëve.
“Disa norma orientuese të cilat janë të vendosura vazhdojnë t’i respektojnë saktë, por assesi nuk bëjnë përpjekje që të punojnë më shumë në mënyra që thjesht t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për drejtësi”, ka thënë Musliu.
Në këtë drejtim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, i ka kritikuar gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Ai në një postim në llogarinë e vet në “Twitter” ka shkruar se, ndonëse Ligji i vjetër për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ua ka pamundësuar gjykatësve vendorë të vazhdojnë gjykimet pa kolegët nga EULEX-i – misioni evropian për sundim të ligjit – ata kanë mundur të punojnë në përgatitjen e lëndëve të mbetura prapa.
“Gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë marrë paga për një vit pa marrë asnjë vendim, pasi një ligj i vjetër (tani i ndryshuar) thoshte se gjykatësit e EULEX-it duhej të ishin të ulur aty për të vazhduar gjykimet. Këta gjykatës kanë mundur të përgatisin lëndët e mbetura prapa”, ka theksuar Kosnett.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/sistemi-gjyqesor-kritika-/30032636.html.