Gjyqtarët e Kosovës, pjesë e Konventës së Gjyqtarëve të UEFA-s

12 shkurt 2019 | 11:09

Gjyqtarët e Kosovës janë anëtarësuar në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s, kurse instruktori Alan Snoddy, që vlerësohet më meritori për këtë sukses, ka thënë se gjyqtarët e Kosovës do ta kenë përkrahjen e UEFA-s edhe në të ardhmen.

Gjyqtarët e futbollit të Kosovës tash e tutje do të jenë të barabartë me gjyqtarët e vendeve të tjera, pasi janë anëtarësuar në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pasi foli për rëndësinë e këtij anëtarësimi, duke thënë se me meritori për një gjë të tillë është instruktori i UEFA-s, Alan Snoddy. Me këtë rast numri një i futbollit të Kosovës konfirmoi se Snoddy do të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit të Kosovës, përkatësisht “krah” i gjyqtarëve. “Për këtë anëtarësim e falënderoj mikun tonë, Alan Snoddy, i cili ka punuar vazhdimisht me ne dhe është më meritori për këtë sukses. Ai i ka përgatitur gjithë ekipin dhe gjyqtarët si në anën teorike, po ashtu edhe në atë fizike, por na ka ndihmuar edhe për përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm për pranim në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s. Alani do të vazhdojë të jetë gjatë me ne, sepse ende kemi nevojë për ndihmën e tij”, ka thënë Ademi në konferencën për medie, ku i pranishëm ishte edhe instruktori i UEFA-s, Alan Snoddy.

Ky i fundit ka vlerësuar se, po  të ishte gjallë legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, do të ishte shumë krenar, por ai ka lavdëruar edhe punën e Agim Ademit dhe Eroll Salihut. “Pas më shumë se dy vjetëve punë të vazhdueshme ka ardhur edhe shpagimi, duke u anëtarësuar në Konventë. Anëtarësimi ofron mundësinë për mbështetje financiare për projektet zhvillimore dhe ngritjes profesionale të gjyqtarëve, por edhe të vëzhguesve dhe instruktorëve. Në emër të UEFA-s ju them se do të vazhdojmë t’ju monitorojmë dhe t’ju përkrahim. Për mua është një ndjenjë e veçantë ta përcjellësh Kosovën për dy vjet e gjysmë dhe ta shohësh duke u anëtarësuar në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s”, ka thënë Snoddy, i cili ka vlerësuar se ndarja e drejtësisë nuk është punë e lehtë. “Është e pamundur të jesh i përkryer në çdo aspekt të lojës dhe në çdo ndeshje. Në çdo ndeshje lojtarët bëjnë gabime, trajnerët bëjnë gabime dhe, normalisht, gjyqtarët bëjnë gabime. Gjyqtarët nuk janë robotë, nuk mund të jenë gjithmonë të saktë, por sfida është që ne të synojmë t’i minimizojmë gabimet”, ka shtuar ai.

Për anëtarësim në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, meritorë i ka bërë ish-kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin, kryetarin aktual, Agim Ademin, sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit, Eroll Salihun, instruktorin e UEFA-s, Alan Snoddyt.

/Veton ZYMBERI/   

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurorët turq kanë lëshuar urdhërarreste për 1 112 persona të…